Mjekja nga Afrika e Jugut thotë se pacientët me variantin Omicron kanë simptoma “shumë të lehta”

23:44 | 28 Nentor 2021

Një mjeke nga Afrika e Jugut, e cila ishte një nga të parat që dyshoi për një lloj tjetër të koronavirus midis pacientëve, tha të dielën se simptomat e variantit Omicron ishin deri më tani të lehta dhe mund të trajtoheshin në shtëpi.

Dr. Angelique Coetzee, një mjeke private dhe kryetare e Shoqatës Mjekësore të Afrikës së Jugut, i tha Reuters se më 18 nëntor ajo vuri re shtatë pacientë në klinikën e saj që kishin simptoma të ndryshme nga varianti dominues Delta, megjithëse “shumë të lehta”.

Coetzee tha se një paciente më 18 nëntor raportoi në klinikën e saj se ishte “jashtëzakonisht e lodhur” për dy ditë me dhimbje trupi dhe dhimbje koke.

“Simptomat në atë fazë ishin shumë të lidhura me infeksionin normal viral. Dhe për shkak se nuk kemi parë raste të COVID-19 për tetë deri në 10 javët e fundit, vendosëm të testonim,” tha ajo, duke shtuar se pacienti dhe familja e tij rezultuan pozitiv, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Coetzee, e cila është gjithashtu në Komitetin Këshillimor Ministror për Vaksinat, tha se ndryshe nga Delta deri më tani pacientët nuk kanë raportuar humbje të nuhatjes ose shijes dhe nuk ka pasur rënie të madhe të niveleve të oksigjenit me variantin e ri.

Përvoja e saj deri më tani ka qenë se varianti po prek njerëzit që janë 40 vjeç ose më të rinj. Si dhe pothuajse gjysma e pacientëve me simptoma të Omicron që ajo trajtoi nuk ishin të vaksinuar.

“Ankesa klinike më mbizotëruese është lodhja e madhe për një ose dy ditë. Me to, dhimbja e kokës dhe e trupit.”

Që nga e premtja, shumë vende kanë ndaluar udhëtimin ajror drejt dhe nga Afrika e Jugut, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe disa vende aziatike.

I emëruar tani Omicron nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, varianti u zbulua dhe u njoftua nga Instituti Kombëtar i Sëmundjeve të Transmetueshme të Afrikës së Jugut (NICD) më 25 nëntor.