Mjekësia interne në Ferizaj kryen mbi 300 gastroskopi e kolonoskopi vitin e kaluar
Në repartin e Mjekësisë Interne në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt gjatë vitit 2024 janë hospitalizuar mbi 640 pacientë. Ky repart, i cili ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, së fundi ka vendosur aplikimin e terapisë biologjike si një hap i rëndësishëm drejt trajtimeve moderne dhe të specializuara. Me 15 shtretër në dispozicion gjatë…

Lajme
Në repartin e Mjekësisë Interne në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt gjatë vitit 2024 janë hospitalizuar mbi 640 pacientë. Ky repart, i cili ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, së fundi ka vendosur aplikimin e terapisë biologjike si një hap i rëndësishëm drejt trajtimeve moderne dhe të specializuara.
Me 15 shtretër në dispozicion gjatë vitit të kaluar janë shfrytëzuar rreth 80% e kapaciteteve, ndërsa për këtë vit synimi është të arrihet shfrytëzimi i plotë, duke rritur efikasitetin dhe kujdesin ndaj pacientëve.
Shefi i repartit të Mjekësisë Interne, Fatbardh Ramadani thotë se përveç shërbimeve hematologjike ky repart i ofron të gjithë shërbimet tjera interne.
“Në repart i kemi të gjitha degët e mjekësisë interne, profilet duke larguar vetëm hematologjinë që ende nuk e kemi prezent në repartin tonë. Aktualisht, reparti ynë ka 15 shtretër ku bëhet hospitalizimi. Sa për informim, vitin e kaluar kemi pasur gjithsej 642 hospitalizime në këta 15 shtretër. Diku ditët e qëndrimit të pacientëve kanë qenë 4 mijë e 190, ndërsa mesatarja e qëndrimit ditor të pacientëve ka qenë 6 ditë e gjysmë. Shfrytëzimi i shtretërve aktualisht është afër 80 për qind, duke tentuar që në vitin 2025 shfrytëzimin e shtretërve ta arrijmë në 100 për qind”, theksoi ai.
Në repartin e Mjekësisë Interne në Spitalin e Ferizajt ofrohen edhe kontrolle të avancuara si gastroskopia dhe kolonoskopia, të cilat bëhen për pacientët e shtruar apo ata që kanë nevojë të veçantë. Gjatë vitit të kaluar janë kryer rreth 300 raste, pa pasur nevojë për listë pritjeje.
Në Spitalin e Ferizajt, përveç kontrolleve të lukthit dhe zorrëve, gastroskopi dhe kolonoskopi, qytetarët mund të bëjnë edhe kontroll të zemrës me ultrazë e njohur si eko-kardiografi. Vitin e kaluar janë kryer mbi një mijë ekzaminime të tilla që ndihmojnë mjekët të zbulojnë me kohë problemet me zemrën.
“Në kuadër të mjekësisë interne kemi disa pjesë diagnostikuese ku kryhen gastroskopia me kolonoskopi nga ana e gastroenterologëve. Në vitin e kaluar kemi kryer gjithsej afër 300 ekzaminime të tilla gastroskopi dhe kolonoskopi nga ana e gastroenterologëve. Gastroskopit dhe kolonoskopit kryhen ekskluzivisht për pacientët që janë të hospitalizuar dhe pacientët që kanë indikacione për kryerjen e këtyre ekzaminimeve, që për fat të mirë nuk kemi listë të pritjes. Përpos, asaj që vonesa mund të jetë vetëm një ditë duke marrë parasysh parapërgatitjen e pacientëve për t’i kryer këto dy ekzaminime… Në kuadër të repartit të Mjekësisë Interne kemi edhe eko-kardiografinë, pra ekzaminim ultrasonografik të zemrës e cila kryhet nga ana e kardiologëve. Vitin e kaluar kemi pasur 1.074 ekzaminime të kryera nga tre kardiologë. Edhe në këtë pjesë listë të pritjes aktualisht kemi vetëm për disa ditë duke marrë parasysh, se ka fluks pak më të madh të pacientëve që kërkojnë ekzaminimin e tillë”, theksoi Ramadani.
Me qëllim të jenë sa më afër pacientëve dhe të ulin referimet drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në dy vjetët e fundit në repartin e Mjekësisë Interne nisi edhe aplikimi i terapisë biologjike.
“Dy vjetët e fundit në repartin e Mjekësisë Interne kemi filluar edhe aplikimin e terapisë biologjike nga ana e reumatologëve që bëhen në bazë të komisionit që është formuar brenda Spitalit Rajonal të Ferizajt, jepet terapia biologjike me të vetmin qëllim që të jemi sa më afër pacientëve dhe trajtimin ta marrin këtu, dhe ta shkarkojmë Qendrën Klinike Universitare”, tha ai.
Shefi i repartit të Mjekësisë Interne, Fatbardh Ramadani thotë se nuk bëjnë shumë transfere për shërbime terciare. Ai madje thekson se edhe furnizimi me medikamente është i kënaqshëm.
“Sa i përket neve si reparti transferi i pacientëve bëhet në bazë të një indikacioni absolut sidomos te pacientët me sëmundje akute të sistemit kardiovaskular dhe sëmundje akute, pra të organeve të ndryshme. Në përgjithësi, në këtë drejtim qëndrojmë mirë… Furnizimi është i mirë, normalisht nuk është 100% i gamës së furnizimit me medikamente, mirëpo ato bazike që janë mjaft të rëndësishme janë në repartin e mjekësisë interne”, theksoi Ramadani.
Në repartin e Mjekësisë Interne janë 17 specialistë të profileve të ndryshme mjekësore. Përveç shërbimeve internistike, pacientët e komunës së Ferizajt në këtë spital mund të marrin edhe shërbimet e Emergjencës me reanimacion, hemodializë, kirurgjike, operative, ortopedike, urologjike, gjinekologjike, pediatrike, radiologjike etj.