Mitrovicë: Tenton t’ia grabis çantën, ia thyen dorën

Në veri të Mitrovicës një grua 79 vjeçare ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë, pasi një person ia theu dorën në momentin kur po tentonte t’ia grabiste çantën.

Lajme

01/11/2015 21:57

Një grua 79-vjeçare, me inicialet J.M. është lënduar sot në pjesën veriore të Mitrovicës, kur një grabitës me maskë në kokë me forcë ia ka marrë çantën që e ka pasur me vete, njoftoi Tanjug-u.

Shefi rajonal i policisë së Kosovës Zhelko Bojiq i ka deklaruar agjencisë beogradase se incidenti ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Çollakoviq” në veri të Mitrovicës, ndërsa sulmuesi duke ia rrëmbyer çantën plakës ia ka thyer dorën.

“Bëhet fjalë për vepër penale të grabitjes, ndërsa Policia e Kosovës ka arritur ta gjejë veturën të cilën e ka përdorur dhunuesi gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale. Identitetin e tij e dimë dhe jemi vënë në ndjekje intensive”, ka thënë Bojiq.

Pas ndihmës që i është dhënë në Qendrën Shëndetësore të Mitrovicës, plaka është lëshuar për shërim në shtëpi.