Mishetiq kritikon Specialen: 40 ankesa të refuzuara në rastin ndaj Hashim Thaçit

Avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka kritikuar ashpër efikasitetin e Gjykatës së Apelit që funksionon brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës. Përmes një postimi në platformën X, Mishetiq ka bërë të ditur se gjatë pesë viteve e gjysmë të procesit ndaj Thaçit, të gjitha ankesat e mbrojtjes janë refuzuar nga paneli…

Lajme

18/05/2026 19:32

Avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka kritikuar ashpër efikasitetin e Gjykatës së Apelit që funksionon brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Përmes një postimi në platformën X, Mishetiq ka bërë të ditur se gjatë pesë viteve e gjysmë të procesit ndaj Thaçit, të gjitha ankesat e mbrojtjes janë refuzuar nga paneli i Apelit, duke mos pranuar asnjë prej tyre. Sipas tij, statistika e rasteve qëndron “0 me 40” në favor të Prokurorisë.

“Për hir të plotësisë lidhur me efektivitetin e ankesave në gjyqin për krime lufte ndaj Hashim Thaçi: Mbrojtja në këtë gjykim tashmë ka paraqitur (dhe përfunduar) 40 ankesa ndërmjetëse. Paneli i Apelit deri më tani i ka refuzuar të gjitha. Kjo do të thotë 0 nga 40 përgjatë pesë viteve e gjysmë”, ka shkruar ai në X.

Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill 2023 në Dhomat e Specializuara.

Vendimi përfundimtar ndaj tyre pritet të shpallet më 20 korrik 2026, ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënime deri në 45 vjet burg për secilin prej tyre. Mbrojtja i ka kundërshtuar ashpër këto pretendime. /Lajmi.net/