Miratohet projektligji për racionalizimin e agjencive ekzekutive, Jagxhiu: Synon organizimin sa më të mirë të administratës publike

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulzon Jagxhiu, ka bërë të ditur se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive. Sipas tij, qëllimi i këtij projektligji është rritja e efikasitetit dhe llogaridhënies në qeverisje,…

Lajme

20/04/2026 09:54

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulzon Jagxhiu, ka bërë të ditur se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive.

Sipas tij, qëllimi i këtij projektligji është rritja e efikasitetit dhe llogaridhënies në qeverisje, si dhe përmirësimi i funksionimit të administratës në sektorin e kulturës dhe atë të ekonomisë.

Ministri theksoi se ky ligj përfaqëson vazhdimin e fazës së tretë të procesit të racionalizimit të agjencive. Në kuadër të tij, institucionet e trashëgimisë kulturore do të konsolidohen në një institucion të vetëm, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i Kosovës do të integrohet në Ministrinë e Ekonomisë, në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Ai e cilësoi procesin e racionalizimit si një reformë thelbësore në kuadër të reformës së administratës publike, e cila aktualisht udhëhiqet nga ministria që ai drejton. Sipas Jagxhiut, kjo reformë synon organizimin më të mirë të administratës, rritjen e shpejtësisë në ekzekutimin e veprimeve, përmirësimin e efektivitetit institucional dhe vendosjen e linjave të qarta të llogaridhënies.

Më tej, ai bëri të ditur se kjo nismë bazohet në Reformën e Administratës Publike 2022–2027 dhe planin e veprimit për periudhën 2025–2027, duke shtuar se zbatimi i saj lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimeve evropiane dhe zotimet në kuadër të planit të rritjes me Bashkimin Evropian.

“Procesi i racionalizimit të Agjencive është një reformë thelbësore në kuadër të reformës së administratës publike, që tash udhëhiqet nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Kjo reformë ka për qëllim organizimin sa më të mirë të Administratës Publike, rritjen e shpejtësisë së ekzekutimit të veprimeve, rritjen e efektivitetit institucional dhe vendosjen e linjave të qarta të llogaridhënies nëpërmes agjencive dhe institucioneve të tyre. Ky proces reformues bazohet në reformën e Administratës Publike 2022-2027 dhe planin e saj të veprimit për periudhën 2025-2027. Zbatimi i kësaj reforme është pjesë e procesit të integrimeve evropiane dhe zotimeve tona në kuadër të planit të rritjes të dakorduar me BE-në”, ka thënë Jagxhiu.

Ministri gjithashtu njoftoi se finalizimi i projektligjit është paraprirë nga një proces konsultimesh, i cili është zhvilluar në mënyrë elektronike, si dhe përmes takimeve me institucionet përkatëse dhe palët e interesit.

“Finalizimi i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me raqcionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënieve të agjencive ekzekutive është pasuar nga procesi i konsultimeve që është bërë në formë elektronike dhe takimeve me institucionet amë dhe palët e interesit”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/