​Miratohen tarifat për Tunelin e Llogorasë, kush do të paguajë e kush përjashtohet

Kanë hyrë zyrtarisht në fuqi tarifat që do të zbatohen për përdorimin e Tunelit të Llogorasë, duke finalizuar procesin për fillimin e pagesave nga përdoruesit e rrugës. Vendimi është formalizuar përmes një Udhëzimi të Përbashkët të nënshkruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, raporton RTSH.…

Lajme

03/10/2025 19:44

Kanë hyrë zyrtarisht në fuqi tarifat që do të zbatohen për përdorimin e Tunelit të Llogorasë, duke finalizuar procesin për fillimin e pagesave nga përdoruesit e rrugës.

Vendimi është formalizuar përmes një Udhëzimi të Përbashkët të nënshkruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, raporton RTSH.

Udhëzimi, i cili ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, detajon tarifat e ndara në pesë kategori të ndryshme automjetesh, me çmime që variojnë nga 100 lekë deri në 5 mijë lekë. Të gjitha tarifat e përcaktuara përfshijnë edhe TVSH-në.

Skema e pagesës është e diferencuar sipas llojit dhe madhësisë së automjetit:

100 lekë: Për motoçikleta dhe mjete të ngjashme me dy rrota.

250 lekë: Për makinat e pasagjerëve dhe automjetet e lehta të shpërndarjes (dy boshte, lartësi deri në 1.3 metra).

500 lekë: Për makinat e pasagjerëve me rimorkio ose karavan (më shumë se dy boshte, lartësi deri në 1.3 metra).

1.000 lekë: Për furgonë, minibusë dhe automjete të mesme (dy ose më shumë boshte, lartësi mbi 1.3 metra).

5.000 lekë: Për automjetet e rënda me tri ose më shumë boshte, si autobusë dhe kamionë me shumë rimorkio (lartësi mbi 1.3 metra).

Tarifat me parapagim për përdoruesit e rregullt do të përcaktohen gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.

Kush përjashtohet nga tarifat

Udhëzimi i ri përcakton gjithashtu një listë automjetesh dhe përdoruesish që përjashtohen plotësisht nga pagesa, kryesisht kur janë në kryerje të detyrës funksionale:

Policia Rrugore, autoambulancat dhe forcat zjarrfikëse.

Mjetet ushtarake dhe ato të NATO-s.

Mjetet e punonjësve të ARRSH-së ose Entit Kombëtar të Operimit Rrugor gjatë detyrave.

Personat që gëzojnë statusin e invalidit, kur automjetet i përdorin për nevoja personale.

Në kuadër të sigurisë, udhëzimi ndalon prerazi përdorimin e Tunelit të Llogorasë nga mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme.

Për zbatimin e tarifave dhe operimin e tunelit, janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Operimit Rrugor dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky vendim shënon fillimin zyrtar të kalimit me pagesë në një nga akset më të rëndësishme inxhinierike dhe turistike të vendit.