Ministrja Hajdari paralajmëron aksione të tjera kundër çrregullimit të çmimeve në treg

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar se do të ketë edhe aksione të tjera në terren kundër çrregullimit të çmimeve në tregun vendor.

Lajme

12/03/2022 22:46

Për këtë gjë Hajdari tha se është koordinuar me inspektorët e tregut, gjatë një takimi që kanë zhvilluar këtë të shtunë, shkruan lajmi.net.

“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bashkë me Kabinetin e MINT dhe Inspektoratin e Tregut mirëpritëm në takim Inspektorët e Tregut të cilët veprojnë në Komunat e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministrja në rrjetin social “Facebook”.

“Bashkëpunëtorët Inspektorë të Tregut i falënderova për bashkëpunimin në terren, lidhur me çrregullimin e çmimeve të tregut tonë dhe shprehëm gatishmërinë në koordinimin e aktiviteteve të mëtutjeshme, për të mirën e qytetarëve, bizneseve dhe shtetit”.

Çmimet e konsumit kanë pësuar një rritje prej 7.5 për qind në shkurtin e këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritje, sërish është reflektuar te produktet si: mishi, qumështi, djathi, vezët e vajrat.

Vetëm një ditë më parë, nëpër markete çmimi i vajit për ushqim kishte shkuar në 3 euro e 49 centë.

Si rrjedhë e kësaj situate, Inspektorati i tregut në Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka mbyllur dy depo të maketeve, për shkak të konstatimit se kishin fshehur mijëra litra vaj, për ta rikthyer atë me çmim shumë më të lartë. /Lajmi.net/