Ministrja Gërvalla në Slloveni, merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit

Me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë Tanja Fajon, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka udhëtuar në Slloveni për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit më 2 dhe 3 shtator. Ajo gjatë këtij forumi do të paraqesë përkushtimin e Kosovës për të luajtur një rol…

Lajme

01/09/2024 19:58

Me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë Tanja Fajon, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka udhëtuar në Slloveni për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit më 2 dhe 3 shtator.

Ajo gjatë këtij forumi do të paraqesë përkushtimin e Kosovës për të luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në avancimin e strategjive rajonale dhe globale për paqe, siguri dhe stabilitet.

Ministrja Gërvalla gjatë paneleve dhe takimeve do të theksojë progresin që Kosova ka arritur në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimeve euroatlantike, reformat e thella në sundimin e ligjit, avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik.

Ajo do të nënvizojë gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit multilateral për të adresuar dhe tejkaluar sfidat globale, duke pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm të shteteve demokratike dhe të përkushtuar në skenën ndërkombëtare.

Në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, përfaqësues të institucioneve globale, shoqëri civile dhe medie, duke thelluar marrëdhëniet diplomatike dhe duke promovuar interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.