Ministria e Liburn Aliut shpenzoi afro 400 mijë euro për pagat e 62 serbëve që nuk punuan asnjë ditë

Ndonëse nuk shkuan në punë, prapë u paguan. Bëhet fjalë për 62 punonjës nga komuniteti serb që u paguan nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kjo është një prej gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për Ministrinë që udhëhiqet nga Liburn Aliu. Ndonëse çështja vazhdon të përsëritet, nga ministria vazhdojnë të…

Lajme

03/07/2024 13:52

Ndonëse nuk shkuan në punë, prapë u paguan.

Bëhet fjalë për 62 punonjës nga komuniteti serb që u paguan nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kjo është një prej gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për Ministrinë që udhëhiqet nga Liburn Aliu.

Ndonëse çështja vazhdon të përsëritet, nga ministria vazhdojnë të mos merren masa.

Në vitin që lamë pas buxheti i shpenzuar për pagat e tyre ishte 398, 164 euro.

Auditori ka vlerësuar se pagat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të paarsyetuara dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë.

“Ministri duhet të analizoj situatën e krijuar duke siguruar se janë vlerësuar të gjitha mundësitë për gjetjen e një zgjidhje, dhe të ndërmerren veprime të cilat janë në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e auditorit.

Ndryshe, Neni 9, paragrafi 2 dhe 3 i Rregullores (QRK), Për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publik, përcakton se “Çdo zyrtar publik është i obliguar që të shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik, varësisht se cilën e ka në përdorim institucioni dhe mos regjistrimi në librat e vijueshmërisë në punë apo në regjistrin elektronik, llogaritet si mos prezencë në punë”./Lajmi.net/