Ministria e Kulturës ndau çmimet vjetore për Teatër (Foto)
Ministri i Kulturës Kujtim Shala, dhe anëtarët e jurisë sot në kabinetin e tij ndanë çmimet vjetore për fushë e Teatrit.
ShowBiz
Çmimet që u ndanë ishin për shfaqjen më të mirë për vitin 2015 që i shkoi shfaqjes nga Prizreni “Shërbëtori i dy zotërinjve”, çmimi për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar që i shkoi shtëpisë teatrore e filmike AKT, regjia më e mirë për vitin 2015 iu dha regjisorit Bekim Lumi me shfaqjen “John Cage’s Hamlet” ndërsa aktori apo aktorja më e mirë për vitin 2015 në fushën e Teatrit ishte Teuta Krasniqi për shfaqjen “Gishti”.
Kryetari i Jurisë Agim Selimi lexoi vlerësimin për ndarjen e çmimit për vepër jetësore në fushën e Teatrit që iu nda aktorit Selman Jusufit, i cili u nominua nga Teatri Kombëtar i Kosovës, shkruan lajmi.net.
Pas marrjes së çmimit Selman Jusufi ndau disa rreshta poezish me audiencën.
“Duke i besuar parimit se analiza kritike dhe vlerësimi mbi artin dhe punën e artistit nuk do të mungojë, për këto 45 vite në dërrasat e skenës që dikush i ka quajtur jetë, mua më kanë mbajtur gjallë ndoshta një lloj ndërgjegje krijuese. Një model i krijimit që në çdo rast dhe kohë e kom pranue si një lloj misioni”.
Duke vazhduar më tutje këtë poezi ai tha: “Edhe atëherë kur shkalla e vlerës dhe e antivlerës kanë qëndrue në të njëjtin horizont, edhe atëherë kur kom mendue se jam harruar nga Zoti dhe audienca. Por shkrimtari dhe kritiku im thotë: Arti është punë zoti, ata që i përzihen zanatit të zotit çmenden”.
Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2015 iu nda Teatrit profesionist nga Prizreni për shfaqjen “Shërbëtori i dy zotërinjve”.
Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtarë për vitin 2015, iu nda Shtëpisë Teatrore Filmike ‘AKT’.
Çmimi vjetor për regjin më të mirë për vitin 2015, iu nda Bekim Lumit për profesionalizmin e tij regjisorial.
Pas marrjes së çmimit regjisorit Bekim Lumi falënderoi Ministrinë e Kulturës, ministrin Shala dhe Jurinë.
“Agim Selimin e kam pas kolegë të kahershëm që bashkë kemi studiuar, e të cilit gjithë i kam thanë që jam regjisori ma i mirë po kurrë nuk u bindke, iu deshën 20 vjet për me kuptua që jam më i miri”.
Çmimi i fundit për aktorin apo aktoren më të mirë për vitin 2015 në fushën e Teatër, iu dha Teuta Krasniqit për shfaqjen “Gishti”.
Loja origjinale dhe tepër njerëzore e Teuta Krasniqit në rolin e Shkurtës e portretizon një personazh të brishtë por në të njëjtën kohë edhe të fuqishëm. Përmes nuancave dhe ngjyrimeve emocioanel të natyrës njerëzore, shtresimeve psikologjike që ka personazhi, Agim Selmani e përshkruajti aktoren Teuta Krasniqi që me rolin e saj ka shpërfaq bukur fuqinë e një femre me ëndrrat e saj, fajin, keqardhjen, rutinën dhe vuajtjet para një ambienti plot tensione, shkruan lajmi.net.
Me marrjen e çmimit të aktores më të mirë, Teuta Krasniqi falënderoi të gjithë.
“Është nder për mu, është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe kur vlerësohet dhe verifikohet puna ime nga një ekip profesionistësh”.
Këto ishin të gjitha çmimet vjetore që u ndanë për fushën e Teatrit nga Ministri i Kulturës Kujtim Shala dhe juristët Arian Krasniqi, Besim Rexhaj, Ramadan Musliu, Bislim Muqaj dhe Agim Selimi./lajmi.net

