Ministria e Financave nënshkruan grant prej 5 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim për investime në rrjetin e transmisionit
Ministria e Financave ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje granti në vlerë prej 5 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), për financim shtesë të Projektit ‘’Zhvillimi i sektorit të energjisë Faza VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit’’, i cili do të mbështesë realizimin e një sërë projekteve për zhvillimin dhe modernizimin e…
Lajme
Ministria e Financave ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje granti në vlerë prej 5 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), për financim shtesë të Projektit ‘’Zhvillimi i sektorit të energjisë Faza VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit’’, i cili do të mbështesë realizimin e një sërë projekteve për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas MF-së, projekti zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe mbështet investimet që synojnë fuqizimin e infrastrukturës së transmisionit, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe avancimin e integrimit të tregut energjetik.
Ministria e Financave ka thënë se investimi i mbështetur përmes këtij financimi paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit energjetik dhe modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmisionit në vend.
“Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, vlerësoi angazhimin e KOSTT-it në zbatimin e projektit dhe rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se ky financim shtesë i siguruar nga Qeveria Gjermane përmes KfW do të mbështesë realizimin e investimeve prioritare dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik. Drejtori i KfW-së për Kosovë, z. Moritz Remé, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës dhe konfirmoi gatishmërinë e KfW-së për të vazhduar mbështetjen për modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë. Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, z. Trim Tërnava, theksoi se këto projekte po realizohen sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa mbështetja shtesë e siguruar nga KfW do të krijojë mundësi për modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmetimit, duke rritur aftësinë e tij për t’iu përgjigjur zhvillimeve të së ardhmes dhe duke forcuar sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Financave ka thënë se mbetet e përkushtuar në mobilizimin e financimeve për projekte strategjike që kontribuojnë në forcimin e sigurisë energjetike, zhvillimin e infrastrukturës kritike dhe avancimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: