Ministria e Bujqësisë u jep grave fermere përparësi në grante për zhvillim të biznesit

Gratë që merren me bujqësi, apo ato që duan të merren nga ky vit, qoftë në prodhim, përpunim apo diversifikim do të kenë përparësi në vlerësim nga Ministria e Bujqësisë.

Lajme

08/03/2015 16:50

Në kriteret që janë hartuar për vlerësimin e pikëve për projektet për grante investive, është paraparë që nëse aplikuesi është femër atëherë do të ketë dy pikë më shumë. Në Kosovë ka një numër të grave që merren me bujqësi por ai ende mbetet i vogël në krahasim me burrat. Për ta ndryshuar këtë, Ministria e Bujqësisë e ka përfshirë këtë kriter, në mënyrë që të krijojë më shumë hapësirë që gratë të hapin biznese në prodhimtari apo edhe përpunim të produkteve bujqësore.

Një përparësi në vlerësim ka qenë edhe në të kaluarën dhe kjo kishte ndikuar në rritjen e numrit të grave që merren me biznese që lidhen me bujqësinë.

Një mundësi e veçantë për gratë sidomos në zonat rurale është masa për diversifikimin e fermave që parasheh mbështetje për ata që zhvillojnë aktivitete artizanale, qoftë punë dore, prodhime të produkteve bujqësore të kultivuara, zhvillimin e turizmit rural dhe sektorë tjerë. Rreth 150 gra fermere janë mbështetur çdo vit në tri vitet e fundit në Kosovë, me grante për bujqësi. Vlerësohet se numri më i madh i grave që merren me bujqësi shtrihet në ferma gjysmë komerciale dhe familjare. Ministria e Bujqësisë synon që me mbështetje përmes granteve fermat që menaxhohen nga gratë të rriten dhe zhvillohen dhe të kenë kapacitet të plotë komercial. (lajmi.net)