Ministri Vitia pretendon: Përdorimi i duhanit është në rënie
Ministria e Shëndetësisë po planifikon t’i punësojë edhe 100 inspektorë me qëllim të rritjes së kontrollit të përdorimit të duhanit në Kosovë, kështu tha ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konference për media në prag të Ditës Botërore Kundër Duhanit. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është lajm i mirë që…

Lajme
Ministria e Shëndetësisë po planifikon t’i punësojë edhe 100 inspektorë me qëllim të rritjes së kontrollit të përdorimit të duhanit në Kosovë, kështu tha ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konference për media në prag të Ditës Botërore Kundër Duhanit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është lajm i mirë që në Kosovë ka rënie të përdorimit të duhanit për shkak të politikave të ndërmarra, por shtoi se ende duhet punë.
Vitia theksoi se miratimi dhe zbatimi i udhëzimit administrativ për vërejtjet e kombinuara shëndetësore në pakot e duhanit ka dhënë rezultatet e tij.
“Në Kosovë sipas STEPS përdorimi i duhanit është në rënie krahasuar me vitin 2011 apo hulumtimin paraprak, që natyrisht kjo është një lajm i mirë, ky është trend inkurajues që dëshmon efektivitetin e politikave të deritanishme, por një trend i pamjaftueshëm për qëllimet që ia kemi bërë vetes… Kontrolli i duhanit është sfidë komplekse pa diskutim jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë, përkundër sfidave nuk është që kanë munguar edhe rezultatet. Nga të arriturat e prekshme është edhe miratimi dhe zbatimi i udhëzimit administrativ për vërejtjet e kombinuara shëndetësore në pakot e duhanit që hyri në fuqi vitin e kaluar dhe shënon një prej masave më të rëndësishme në edukimin vizual të konsumatorëve për dëmet shkatërruese të duhanit,” tha ai.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se me Ministrinë e Financave po shohin mundësinë t’i shtojnë kapacitetet inspektuese edhe për 100 inspektorë me qëllim të rritjes më të madhe të kontrollit të duhanit.
“Rritja e akcizës në 65 euro për kilogram sipas vendimit të qeverisë së Kosovës është tjetër sinjal që politikat fiskale po japin efekt… Kemi fuqizuar edhe kapacitetin inspektues përmes rekrutimit të rreth 30 inspektorëve të rinj që kanë ndihmuar në zbatim të ligjit, por natyrisht kjo akoma nuk është e mjaftueshme dhe vazhdon të mbetet sfidë serioze, prandaj kohëve të fundit në bashkëpunim me ministrinë e Financave po përgatisim një plan për angazhimin e rreth 100 vetave shtesë që ky ligj të zbatohet në përpikëri në të gjitha vendet ku nuk duhet të pihet duhani,” theksoi Vitia.
Agron Lila nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, tha se qëllimi i shënimit të kësaj dite është për të dërguar një mesazh të fuqishëm dhe të përbashkët për të mbrojtur të rinjtë nga ndikimi i industrisë së duhanit, transmeton kosovapress.
Ai tha se do ta mbështesin draftin e ligjit të ri për Kontrollin e Duhanit, për çka tha se është hap i guximshëm dhe i drejtë.
“Përmes kësaj fushate, të rinjtë janë angazhuar në monitorimin e përmbajtjes digjitale të industrisë së duhanit, kanë ndarë gjetje përmes sfidës ‘Zbuloje Taktikën’, dhe po ndihmojnë në ndërtimin e një presioni pozitiv publik për ndryshim të politikave. Ne jemi këtu sot për të ritheksuar mbështetjen tonë për draft Ligjin e ri për Kontrollin e Duhanit, i cili përmban masa thelbësore dhe të domosdoshme për të mbrojtur brezat e rinj: Ndalim të plotë të reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, përfshirë ato në platformat digjitale, zbatim të paketimit standard (plain packaging), për të larguar çdo efekt joshës vizual, ndalim i shijeve të ëmbla frutash që targetojnë posaçërisht fëmijët dhe të rinjtë. Ky ligj është një hap i guximshëm, por i drejtë. Ai nuk synon të penalizojë qytetarët, por të mbrojë shëndetin e tyre dhe të brezave që po rriten. Ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të bëhen një treg i ri për industrinë e varësisë,” tha ai.
Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se hulumtimet e tyre tregojnë se Ligji për Kontrollin e Duhanit ka dhënë efektin e tij, por ende duhet punë për rezultate më të mira.
Hoti tha se IKSHP këtë vit do të nisë një hulumtim të radhës, i cili do të gjenerojë të dhëna të reja për nivelin e përdorimit të duhanit në vendin tonë.
“Hulumtimet që janë zhvilluar nga IKSHPK qoftë GYTS që është zhvilluar në vitin 2016, qoftë STEPS në vitin 2019 kanë nxjerrë atë që ka qenë edhe synim i këtij ligji: uljen e prevalencës së përdorimit të duhanit në vendin tonë. Në luftën kundër duhanit rezultatet gjithmonë kërkojnë ndryshime, kërkojnë që të bëhet progres më tutje për shkak se sot të gjithë qytetarët janë të ekspozuar ndikimit të theksuar të industrisë së duhanit e cila përmes taktikave të sofistikuara dëshiron ta rrisë apo mbajë klientelën. IKSHP gjatë këtij viti do të fillojë me hulumtimin e radhës që është GYTS 3 Kosova i cili besoj se do të gjenerojë të dhëna të reja lidhur me nivelin e përdorimit tek popullata jonë, në veçanti tek të rinjtë… këtyre viteve janë bërë hapa të konsiderueshëm pozitivë dhe një prej tyre është implementimi i vërejtjeve të kombinuara që konsiderohet masë e pakos së OBSH për kontrollin e duhanit. Mirëpo ne kemi nevojë t’i përforcojmë aktivitetet tona edhe në fusha të tjera, qoftë në monitorim të duhanpirjes, qoftë të bëjmë hapa pozitivë në aspektin e lënies së duhanit,” theksoi ai.
Dita Botërore Pa Duhan (WNTD) shënohet në mbarë botën çdo vit më 31 maj.