Ministri Reçica iu premton mbështetje pensionistëve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, priti sot në takim kryetarine Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës, Sylejman Meta.

Lajme

13/09/2017 14:05

Ministri Reçica, tha se pozita e pensionistëve do të jetë një nga prioritetet e tij, dhe se në këto ditët e para të marrjes së përgjegjësisë, është duke vlerësuar gjendjen në MPMS dhe detyrat që e presin. Ministri u tha pensionistëve se nuk premton mrekulli, por se do të angazhohet dhe bëjë gjithçka që është e mundur dhe brenda kompetencës, që pensionistët të trajtohen dinjitetshëm. “Do të bëjmë çdo gjë që pensionistët të trajtohen dhe të respektohen me shumë dinjitetdhe sjellje korrekte nga personeli dhe administrata. Kjo është e pakta që mund të bëjmë”.

Në këtë takim pensionistët kërkuan nga ministri Reçica, që brenda mundësive në një nga barnatoret e qytetit, t’u mundësohet atyre furnizimi me barnat e listës esenciale, si dhe të trajtojnë çështjen e transportit publik për pensionistët, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në nivel vendi.

Ministri u zotua se do të angazhohet dhe do të bëjë gjithçka brenda mundësive, që pensionistët të kenë vendin e tyre të merituar në shoqëri.

Pensionistët u shprehën të kënaqur dhe mirënjohës për pritjen, duke shtuar se asnjëherë sikur deri më tani nuk janë pritur e dëgjuar me kaq përkushtim për problemet dhe pozitën  e pensionistëve në shoqërinë kosovare.