Ministri Muja përuroi investimin 9.15 milionë euro për sistemin e ujitjes në Radoniq të Gjakovës
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja mori pjesë sot në ceremoninë e përfundimit të Projektit IRIS dhe funksionalizimit të sistemit të rehabilituar të ujitjes në Radoniq të Gjakovës. Sipas komunikatës për media të kësaj ministrie, ky projekt ka një vlerë totale prej 9.15 milionë euro. Implementimi operacional dhe menaxhimi i…
Lajme
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja mori pjesë sot në ceremoninë e përfundimit të Projektit IRIS dhe funksionalizimit të sistemit të rehabilituar të ujitjes në Radoniq të Gjakovës.
Sipas komunikatës për media të kësaj ministrie, ky projekt ka një vlerë totale prej 9.15 milionë euro. Implementimi operacional dhe menaxhimi i sistemit të rehabilituar të ujitjes do të realizohet nga KRU Radoniqi-Gjakovë, e cila do të kujdeset për funksionimin e qëndrueshëm, mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimeve efikase për shfrytëzuesit e këtij sistemi.
“Përmes këtij projekti do të përfitojnë drejtpërdrejt dhe bujqit e komunave të Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit. Aktualisht, sistemi i ujitjes mbulon rreth 5,000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa me përfundimin e projektit janë shtuar edhe 6,000 hektarë të tjerë, duke e çuar sipërfaqen totale të përfshirë në rreth 11,000 hektarë që do të përfitojnë nga furnizimi më i sigurt dhe më efikas me ujë për ujitje”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se projekti ka mundësar edhe rehabilitetin dhe modernizimin e sistemit të ujitjes, përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore. Ndër të tjerash mundëson edhe rritjen e efikasitetit operacional dhe krijimin e kushteve më të favorshme për prodhim bujqësor më të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Sipas komunikatës, ministri në detyrë Muja theksoi se ky investim përfaqëson një vizion të realizuar për një bujqësi më moderne, më produktive dhe më rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.
“Ky investim është dëshmi konkrete e asaj që mund të arrihet kur ekziston bashkëpunim i mirëfilltë institucional, planifikim i kujdesshëm dhe përkushtim i vazhdueshëm ndaj interesit publik”, u shpreh Muja.
Në përmbyllje, ministri Muja theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që projekte të tilla, të cilat janë në të mirë të fermerëve dhe bujqve të Republikës së Kosovës, të vazhdojnë edhe në të ardhmen në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, gjithmonë në të mirë të qytetarëve të vendit.
Ndërkaq ky projekt është financuar përmes një donacioni nga Komisioni Evropian dhe dhe administruar nga Banka Botërore, ndërsa është udhëhequr dhe menaxhuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.