Ministri Matoshi priti në takim udhëheqësen e re të UNDP-së në Kosovë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka pritur sot në takim njoftues udhëheqësen e re të  UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, të cilës i ka dëshiruar mirëseardhje në misionin e saj të ri në Kosovë. 

Lajme

30/07/2019 17:13

Gjatë këtij takimi Ministri Matoshi ka falënderuar udhëheqësen e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, për mbështetjen  e madhe dhënë Ministrisë që ai drejton, duke përfshirë projektin ndërkufitar  të menaxhimit të pellgut të Drinit të Bardhë, ndërtimin e Impiantit në Kramovik, përkrahjen në hartimin e Strategjisë për Ndryshime Klimatike, zgjerimin e parkut nacional “Sharri”, si dhe projektin “Mjedisi dhe Shëndeti”.

Matoshi ka prezantuar angazhimet e tij dhe të MMPH-së në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vend dhe ka kërkuar nga UNDP-ja përkrahje që Kosova të këtë çasje në fondet globale të mjedisit, pasi që sipas tij mjedisi është i përbashkët dhe si i tillë duhet trajtuar nga të gjithë.

“Pavarësisht situatës politikes në vend, bashkëpunimi mes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe UNDP-së do të vazhdojë tutje në adresimin dhe tejkalimin e sfidave që ka Kosova në fushën e mjedisit”, theksoi nder të tjerash Ministri Matoshi.

Nga ana tjetër, udhëheqësja  e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, ka përgëzuar Ministrin Matoshi për angazhimin e tij në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor dhe po ashtu ka shprehur gatishmërinë  e UNDP-së për të vazhduar bashkëpunimin në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushat që mbulon MMPH. /Lajmi.net/