Ministri Krasniqi takoi ambasadorin e Kuvajtit, Najeeb Al-Bader

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Kuvajtit në Shqipëri, ambasador jorezident në Republikën e Kosovës, Najeeb Al-Bader, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, si dhe për projektet zhvillimore të MBPZhR-së për këtë vit.

Lajme

05/06/2015 16:07

Përmes një komunikate kjo ministri ka njoftuar që Krasniqi ka biseduar me ambasadorin më hollësisht për programet zhvillimore të këtij viti, përmes të cilave ai theksoi se synojnë zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori në vend.

“Me këtë rast, ministri Krasniqi, vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve dhe e ka falënderuar ambasadorin Al-Bader për përkrahjen që ky shtet i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës në sektor të ndryshëm. Po ashtu, ministri Krasniqi, shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar edhe më tej me këtë shtet, me qëllim të realizimit të projekteve të ndryshme në sektorin e bujqësisë”, thuhet në Komunikatë.

Nga ana e tij, ambasadori Najeeb Al-Bader, ritheksoi edhe njëherë gatishmërinë e shtetit të tij për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve, me qëllim të zhvillimit të këtij sektori.