Ministri Jagxhiu: Synimi ynë është që shërbimet publike të jenë më të thjeshta dhe më të shpejta për qytetarët

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu theksoi se me themelimin e kësaj ministre vendi hyn në një fazë të re të zhvillimit institucional. Jagxhiu në një postim në Facebook shkruan se këtë përgjegjësi e merr me përkushtim të plotë dhe vendosmëri që çdo përvojë dhe njohuri profesionale ta vë në funksion të këtij…

Lajme

14/02/2026 15:25

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu theksoi se me themelimin e kësaj ministre vendi hyn në një fazë të re të zhvillimit institucional.

Jagxhiu në një postim në Facebook shkruan se këtë përgjegjësi e merr me përkushtim të plotë dhe vendosmëri që çdo përvojë dhe njohuri profesionale ta vë në funksion të këtij misioni.

Lexoni të plotë postimin:

Të mërkurën u zgjodh Qeveria e re e Republikës së Kosovës, në të cilën m’u besua detyra e Ministrit të Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Kurse dje e pranova edhe zyrtarisht këtë përgjegjësi, duke hapur një kapitull të ri të angazhimit tim në shërbim publik në kuadër të Qeverisë Kurti 3.

Ndihem thellësisht i nderuar dhe mirënjohës për besimin e Kryeministrit Albin Kurti për të udhëhequr këtë portofol me rëndësi për shtetin tonë. Nuk ka nder më të madh se t’i shërbej Republikës dhe qytetarëve të saj. Këtë përgjegjësi e marr me përkushtim të plotë dhe vendosmëri që çdo përvojë dhe njohuri profesionale ta vë në funksion të këtij misioni.

Çmoj lartë punën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Zëvendësministrit Bardhyl Dobra, të cilët kanë udhëhequr edhe portofolin e administratës publike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë mandatit të kaluar. Në Qeverinë Kurti 2 janë ndërmarrë reforma të rëndësishme drejt një administrate më meritokratike, më transparente dhe më të hapur për të gjithë. Po ashtu, kemi realizuar hapa të rëndësishëm në digjitalizimin e shumë shërbimeve publike dhe në forcimin e shtyllave kyçe të transformimit digjital, duke e bërë këtë proces më të qëndrueshëm, më gjithëpërfshirës dhe më të sigurt.

Me themelimin e Ministrisë së dedikuar për Digjitalizim dhe Administratë Publike, po hyjmë në një fazë të re të zhvillimit institucional. Ky riorganizim do të na mundësojë fokus më të madh, koordinim më të mirë dhe thellim të reformave me ritëm të përshpejtuar dhe efikasitet të shtuar.

Synimi ynë është që shërbimet publike të jenë më të thjeshta dhe më të shpejta për qytetarët, administrata të jetë sa më profesionale dhe e përgjegjshme, ndërsa digjitalizimi të shërbejë si themel i një shteti modern, funksional dhe më afër qytetarit.