Ministri i Jashtëm i Austrisë të enjten viziton Kosovën

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë se kushdo që të vijë në pushtet në Serbi, duhet t'i përmbahet dialogut me Kosovën dhe implementimit të rezultateve të tij. Ai të mërkurën do të qëndrojë në Beograd e të enjten në Prishtinë.

Lajme

25/02/2014 16:47

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, do të vizitojë të Serbinë dhe Kosovën. Të mërkurën ai do të qëndrojë në Serbi ndërsa të enjten do të jetë në Prishtinë.

Kjo do të jetë vizita e parë e shefit të diplomacisë austriake në rajon që nga koha kur mori këtë detyrë dy muaj më parë.

Ministri Kurz, 28 vjeçar, tha se pavarësisht se kush do të jetë në qeverinë e ardhshme të Serbisë është në dorën e tyre që të vendosin prioritet për rrugën e tyre evropiane. Ai thotë se dialogu me prioshtinën duhet të vazhdojë dhe rezultatet që dalin nga ky dialog duhet të implementohen.

“I përket qeverisë së ardhshme (të Serbisë) t’i vendosë prioritetet, por kur është fjala për rrugën evropiane, është e qartë që procesi i reformave duhet të vazhdojë me energji të shtuara dhe dialogu me Prishtinën duhet të vazhdojë si dhe rezultatet e tij të implementohen”, tha Kurz në një intervistë për gazetën beogradase “Danas”.

“Megjithë fushatën zgjedhore, të dy Kryeministrat vazhdojnë të takohen në Bruksel. Kjo është shenjë pozitive dhe vendimet e tyre duhet të zbatohen në mënyrë të përshtatshme. Jam i bindur se kjo do të vazhdojë edhe me qeverinë e re- pavarësisht se kush do të jenë akterët e rinj”.

Duke folur për “Danas” , Kruz ka thënë se ai dhe shteti i tij janë mbështetës për projektin e integrimit në Bashkimin Europian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Me vizitën time dua të rikonfirmoj këtë mesazh”, ka thënë Sebastian Kurz.