Ministri Fadil Ismajli në Beograd

Ministri Fadil Ismajli përfaqëson Kosovën në një takim ndërministror në Beograd ku do të marrin pjesë shtetet anëtare të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe përfaqësues të Komisionit Europian.

Lajme

23/10/2013 14:44

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli do të marrë pjesë në takimin e 11’të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë që këtë radhë mbahet në kryeqytetin e Serbisë – Beograd, ku do të marrin pjesë shtetet anëtare të Traktatit të Komunitetit të Energjisë si dhe përfaqësues të Komisionit Europian.

Në komunikatën e  lëshuar nga MZHE thuhet se kjo është hera e parë që një ministër i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës merr pjesë zyrtarisht në një takim të nivelit ministror në Beograd.

Në këtë takim janë paraparë të diskutohen çështjet me interes të veçantë si: Efiçienca e Energjisë, Termocentralet, implementimi i Traktatit të Energjisë me theks në implementimin e Pakos së Tretë të Bashkimit Evropian, Strategjia e Energjisë në nivel të rajonit, Projektet me interes të Komunitetit të Energjisë si dhe implementimi i mekanizmit për kompensim ndërmjet OST (ITC-Inter TSO Compensation), thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ne këtë takim Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë pritet që të diskutojë edhe Raportin Vjetor të aktiviteteve të Komunitetit të Energjisë, buxhetin, programin e punës dhe çështjet tjera që lidhen me funksionimin e tij, thuhet në komunikatën e MZHE.