Mimoza Kusari rikthehet në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit: Do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme

Mimoza Kusari-Lila është rikthyer në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit pas 15 vitesh. Përmes një njoftimi publik, ajo bëri të ditur se sot ka pranuar zyrtarisht detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendi i Kosovës, Rozeta Hajdari, transmeton lajmi.net.  Kusari-Lila u shpreh e bindur se me përkushtim,…

Lajme

13/02/2026 13:37

Mimoza Kusari-Lila është rikthyer në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit pas 15 vitesh.

Përmes një njoftimi publik, ajo bëri të ditur se sot ka pranuar zyrtarisht detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendi i Kosovës, Rozeta Hajdari, transmeton lajmi.net. 

Kusari-Lila u shpreh e bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdohet drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et dhe fuqizimin ekonomik të grave. Ajo theksoi se prioritet do të jenë forcimi dhe brendimi i produkteve “Made in Kosova”, rritja e eksportit dhe produktivitetit të prodhimit vendor.

Sipas saj, fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe incentivizimit të bizneseve për politika miqësore me mjedisin, duke promovuar ekonominë qarkore.

Ministrja theksoi se të rinjtë përbëjnë pasurinë më të çmuar të vendit, duke vlerësuar rolin e tyre në zhvillimin e sektorit të inovacionit, i cili tashmë është pjesë e këtij dikasteri.

Ajo shtoi se dialogu publiko-privat dhe koordinimi ndërsektorial do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit, duke u shprehur e lumtur që është pjesë e zhvillimit dhe suksesit të shtetit.

Postimi i plotë i saj: 

Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit.
Sot zyrtarisht pranova detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Rozeta Hajdari.
E bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar. Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politka miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë.
Vendi ynë pasurinë më të çmuar i ka të rejat dhe të rinjtë, të cilët me kreativitetin dhe talentin e tyre kanë zhvilluar dhe rritur sektorin e inovacionit – sektor që tashmë është pjesë e këtij dikasteri.
Dialogu publiko-privat dhe sinergjia e krijuar përmes ndërlidhjes dhe koordinimit të të gjithë sektorëve do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit.
E lumtur të jem pjesë e zhvillimit dhe suksesit të shtetit tonë./lajmi.net/