Mimoza Kusari propozohet për dëshmitare në gjykimin e ministrit

Në gjykimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukës dhe të Eliana Nakës, të cilët akuzohen për konflikt interesi, gjatë fjalës hyrëse, avokati i të pandehurit të parë, Artan Çerkini, tha se vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se veprimet që Prokuroria i konsideron të jashtëligjshme në esencë janë të ligjshme dhe të cilat janë marrë nga klienti i tij në zbatim te Ligjit për zonat ekonomike dhe vendimit të ministres së Tregtisë më‎ 20.8.2013.

Lajme

18/12/2017 12:38

“Ne qysh në fillim të shqyrtimit të kësaj çështje që e ka udhëheq gjyqtari Elmaz Zenuni kishim tërhequr vëmendjen e Gjykatës në disa paqartësi të cilat ende nuk janë eliminuar dhe këtij procesi mund t’i japin një kahje të gabuar”, tha avokati i ministrit Lluka.

“Kjo për faktin se prokuroria pretendon se vepra penale është kryer duke u shkelur Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit ndërsa neni 424 i Kodit Penal në asnjë dispozitë nuk inkriminon shkeljen e dispozitave të këtij ligji andaj shkelja e dispozitave blankete nuk ka element penal”, shtoi avokati.

Sipas tij, në këtë procedurë gjyqësore do të vërtetohet se Valdrin Lluka nuk ka vepruar nën ndikimin e konfliktit të interesit sepse ai personalisht nuk ka përfituar asnjë dobi pasurore nga zotimi i mjeteve për OJQ-në e përmendur.

“Edhe nga akuza edhe nga fjala hyrëse e prokurores e kuptuam se nuk e kanë të qartë konceptin e OJQ-së si një organizatë joprofitabile sepse Prokuroria e vlerëson si biznes dhe pastaj e thekson se OJQ-të mund të themelohen vetëm nga kultura, arsimi dhe humanitare, ndërsa vetë koncepti i OJQ-së i formuar me interes për shoqërinë dhe OJQ Jakova Inovation Center nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë përfitim sepse një OJQ nuk themelohet me pasë përfitim por themelohet në arritjen e qëllimeve të saj”, theksoi avokati Çerkini.

“Pra, organizata është e privuar nga mundësia me pasë interes privat”, shtoi në fjalën hyrëse avokati i ministrit.

Në momentin e zotimeve të mjeteve nga Valdrin Lluka ai nuk ka qenë përfaqësues i autorizuar i OJQ-së dhe këtë e potencoi edhe prokuroria, theksoi tutje avokati.

“Në këtë procedurë gjyqësore do të vërtetohet se qëllimi i kërkesës për zotimin e mjeteve nga MTI për OJQ-në e lartcekur ka qenë në funksion të zhvillimit të agjendave të MTI-së“, nënvizoi ai.

Ndërsa, avokatja e Eliana Nakës, Teuta Zhinipotoku, propozon si dëshmitare Mimoza Kusari-Lilën dhe Blerim Ibrahimin.

Dy të akuzuarit, Valdrin Lluka dhe Eliana Naka, u deklaruan të pafajshëm.