Miftaraj: Për çështjen e votimit të fshehtë, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda 60 ditësh

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). “Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e deputetëve të…

Lajme

03/06/2025 14:15

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e deputetëve të Aleancës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”, pati deklaruar deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Në lidhje me këtë çështje dhe sa pritet të zgjasë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka folur për “Gazeta Blic”, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Miftaraj tha se rastin konkret, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditëve.

“Në rastin konkret, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditëve.Megjithatë, në praktika, jo në ta gjitha rastet Gjykata Kushtetuee ka arritur që ta respektojë këtë afat ligjor, ashtu që në disa raste, vendimmarrja ka zgjatur deri në mbi 1 vit” tha Miftaraj.

Ai tha se nëse Gjykata Kushtetuese vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër.

“Nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese, afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër” deklaroi Miftaraj.

Kujtojmë se nesër pritet të jetë tentativa e 26-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje si parti që ka dalë e para në zgjedhje vazhdon të insistojë në emrin e kandidates, Albulena Haxhiu.

Haxhiu nuk po arrin të marr votat e partive opozitare pasi të njëjtit e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse.