Mexhiti: Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut ka orientim evropian

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti ka folur për të ardhmen politike të përfaqësimit shqiptar në legjislaturën e re të shtetit fqinj. “Në Ministrinë e Punëve të Brendshme pritet të emërohet zëvendësministri shqiptar, do të ketë shqiptar edhe në pozitën e zëvendësdrejtorit në Agjencinë e Inteligjencës, ka dy-tre ndihmës. Në…

Lajme

04/07/2024 08:34

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti ka folur për të ardhmen politike të përfaqësimit shqiptar në legjislaturën e re të shtetit fqinj.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme pritet të emërohet zëvendësministri shqiptar, do të ketë shqiptar edhe në pozitën e zëvendësdrejtorit në Agjencinë e Inteligjencës, ka dy-tre ndihmës. Në bashkëpunim me ndërkombëtarët, Agjencia e Inteligjencës që është në kuadër të kryetares së shtetit dhe Agjencioni kryesor për Inteligjencë, ka dhe do të ketë zëvendës shqiptarë. Deri në vit të ri, duhet të fuzionohet dhe minimumi zëvendësi i parë ose i dytë do të jetë shqiptarë”, ka premtuar Mexhiti.

Ai nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se pritet që të ketë më shumë pozita për shqiptarët në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Emërimi si zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie mes Etniteteve i Ivan Stoilkoviqit, kryetarit të Partisë Demokratike të Serbëve, i cili njihet si një nga njerëzit më të afërt të autoriteteve serbo-ruse për Maqedoninë e Veriut, ka qenë një nga temat e trajtuara në emision. Qëndrimet e Stoilkoviqit ndaj sulmit të Banjskës dhe emërimin si hero të terroristëve serb nuk kanë kaluar pa u përmendur.

“Në këtë çështje kemi qëndrime që na dallojnë në ekstrem, por për çështje të tjera, debate që kanë të bëjnë me programin e qeverisë do të bashkëpunojmë. Kjo ndodh edhe në Qeverinë e Kosovës, ku keni përfaqësues nga komuniteti serb që s’mund të jeni shumë të kënaqur me ta, por ata e kanë të drejtën ligjore dhe s’mund ta ndryshojmë. Megjithatë, ai nuk është faktor që mund ta pengojë bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Përkundrazi mendoj se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës do të jetë i shkëlqyeshëm dhe do të dinamizohet”, ka deklaruar Mexhiti, duke premtuar përshpejtimin e kryerjes së rrugës Shkup-Bllacë, si dhe përfshirjen e rrugës Tetovë-Prizren si prioritet qeveritar.

Mexhiti ka thënë se qeveria e re e Maqedonisë së Veriut e ka orientimin euro – atlantik.

“Jashtë asaj që ka qenë në fushata zgjedhore, kjo Qeveri ka orientimin e pastër evropian dhe konform kësaj lufton edhe për këto parime, për ta rikthyer shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit, për ta lëvizur vendin drejt integrimeve evropiane”, ka thënë Mexhiti.

Sa i përket akuzave të opozitës shqiptare se VLEN nuk përfaqëson shumicën shqiptare, ai ka thënë se kanë legjitimitet të plotë sepse kanë qenë koalicioni i vetëm me parti shqiptare dhe se në ekzekutiv përfaqësojnë shqiptarët me 30 përqind, RTK.

“Ne e kemi kryetar të parlamentit Afrim Gashin dhe kjo shkon pastaj në formë piramide deri në dikasteret tjera. Nëse i marrim numrat në parlament, kjo mund të jetë marrëveshja më e suksesshme në këtë relacion të numrave. Shumë më e dobët ka qenë marrëveshja kur VMRO/DPMNE apo LSDM kanë pasur numra afër shumicës dhe partnerët shqiptarët kanë hyrë me marrëveshje tepër më të dobëta, të mos them simbolike. Këtu mundohen të bëjnë krahasime me katër vitet e kaluara, të një qeverie që katër vite ka luftuar për të mbijetuar për të pasur 61 deputetë. Shembull partia Alternativa është pjesë e VLEN-it dhe në një moment me tre deputetë ia kanë ofruar tri ministri, që ka qenë situatë e jashtëzakonshme. Unë jam për të bërë krahasime, por krahasimet duhet të jenë reale, për të parë forcën brenda parlamentit dhe për të parë masandej si ka reflektuar në ekzekutiv”, tha ai.

Në legjislaturën e re të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, shqiptarët përfaqësohen nga koalicioni VLEN. Nga ky koalicion i përbërë nga katër parti, shqiptarët kanë marrë drejtimin e gjashtë ministrive dhe shtatë emërime në pozitën e zëvendësministrave.