Messi rikthehet në stërvitje
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, është kthyer në stërvitje të hënën, pesë ditë para se liderët e La Ligas të ndeshen me vendin e dytë Real Madridin në “El Clasicon” e parë të këtij sezoni.
Sport
Messi nuk është paraqitur në asnjë ndeshje pas lëndimit në gju në fund të shtatorit.
Megjithatë, Barca ka luajtur mirë edhe në mungesën e kapitenit të Argjentinës, me sulmuesin uruguaian Luis Suarez dhe, në veçanti, sulmuesin tjetër brazilian, Neymar, që janë në super-formë.
“Në seancën stërvitore është paraqitur edhe Leo Messi, i cili është duke e vazhduar rikuperimin nga lëndimi i gjurit të majtë që e pësoi më 26 shtator”, ka shkruar klubi në ueb-faqen e saj zyrtare (www.fcbarcelona.es), transmeton Koha.net.
Edhe mesfushori kroat, Ivan Rakitic, i cili është lënë jashtë fushës së gjelbër që nga lëndimi i një muskuli në këmbë gjatë ndeshjes kundër BATE-s në kuadër të Ligës së Kampionëve më 4 nëntor, është kthyer në stërvitje.
Me 11 ndeshje të zhvilluara, Barca, që janë duke ndjekur titullin e gjashtë në tetë vjetët e fundit në La Liga, kryesojnë tabelën me 3 pikë më shumë se Reali, ndërsa Atletico Madrid është në vendin e tretë, katër pikë larg të parit.