Mësimet e Rinumërimit të votave
Tri problemet që po zvarrisin Certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë, duhet të zgjidhen para mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Opinion
Shkruan: Blerim Shala
Rrjedhat politike në Kosovë, edhe në këtë temën e organizimit të zgjedhjeve demokratike, i kanë veçoritë e veta që i dallojnë shumë, për të mirë dhe për të keq, krahasuar me shtetet e tjera që kanë pak a shumë të njejtën përvojë politike në demokracinë parlamentare.
Ta zëmë, kudo, në këto shtetet që ende kategorizohen me një demokraci të brishtë, dita vendimtare për suksesin apo dështimin e zgjedhjeve, është dita kur votohet, dhe ajo dita tjetër, menjëherë pas kësaj të parës, kur të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë politike parlamentare, e kuptojnë se cili ka qenë rezultati.
Rëndom në këto shtete ku demokracia ende sprovohet, këto dy ditë janë kritike për fatin e zgjedhjeve. Nëse ato kalohen si duhet, nëse pra nuk ka incidente të rënda në ditën e votimit, nëse nuk ka manipulime atë ditë, dhe nëse të nesërmen, rezultatet e zgjedhjeve pranohen prej krye-garuesve, atëherë, hyhet në një cikël të zakonshëm të funksionimit të institucioneve qendrore të një shteti.
Në rastin e Kosovës, në tri palë zgjedhje, apo, në harkun kohor 2014-2019, si dita e votimit, ashtu edhe përballja e partive protagoniste me rezultatet e votimit, janë shfaqur me një përvojë shumë të mirë, e cila madje edhe prej ndërkombëtarëve është cilësuar si shembullore për rajonin.
Dita e votimit tek ne është fare normale, subjektet politike në parim e njohin rezultatin e votimit.
Por tek ne, telashet ndodhin atëherë kur askund nuk ka probleme të këtij lloji: Në atë periudhën që pak a shumë do të duhej të ishte fare teknike, e përmbylljes së zgjedhjeve, dhe e certifikimit të tyre.
Kësaj radhe, ishin tri palë problemesh që shkaktuan rinumërimin e gati të gjitha votave, dhe që kanë shkaktuar vonesa të mëdha në synimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i Certifikuar zgjedhjet e 6 tetorit.
Problemi i parë është ai i cili po na përcjell në të gjitha zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur. Ky ka të bëjë me manipulimet evidente, të vazhdueshme, në rritje e sipër, ‘brenda llojit’, pra, brenda Listave të subjekteve politike, për të fituar mandatin e deputetit.
Problemi i dytë lidhej me votat me postë të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit (respektimit të afatit për arritjen e tyre në Kosovë), ndërsa ai i treti përkonte me mënyrën se si ushtrohet e drejta për votim me postë nga shtetasit e Kosovës të komunitetit serb që jetojnë në Serbi.
Kishe edhe telashe teknike të tjera, të cilat nuk ishin substanciale.
Sidoqoftë, kur këto tri probleme u bënë bashkë, ndodhi ndërlikimi i madh i rrumbullakësimit të procesit zgjedhor dhe zbehja e asaj përshtypjeje të parë shumë të favorshme për mënyrën se si mbajtëm zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Me atë të moçmen, e cila nuk është që respektohet fort ndër ne, do të duhej të nxirreshin mësimet prej këtij pësimit që ende nuk ka marrë pëmasat e një krize pas-zgjedhore çfarë ishte ajo në vitin 2014, në një kontekst tjetër politik.
Së pari pra, po shihet që Listat e hapura, në nivel të vendit, me mundësinë e përzgjedhjes së pesë kandidatëve për deputetë, janë burim të manipulimeve të mëdha. Dhe kjo po vërehet tek të gjitha partitë garuese. Është e domosdoshme që të përgatitet reforma e këtij Sistemi zgjedhor. Nëse insistohet që të mbahen Listat e hapura në shkallë të vendit, atëherë lideri i Listës nuk duhet fare të votohet (ai duhet të jetë bartës i Listës), dhe votuesi do të duhej të ketë mundësi për ta shenjuar vetëm një kandidat në Listë. Edhe ky model ka shumë të meta, siç mund të mirret me mend. Nëse Kosova nuk ndahet në disa Zona zgjedhore, apo, nëse mbetet një e vetmja Zonë, atëherë, imponohet mbyllja e Listës.
Së dyti, më nuk duhet lejuar votimi me postë, as në Perëndim, dhe as në Serbi.
Në fakt, në Serbi, për shkaqe të njohura, as që ka pasë votim me postë.
Në Perëndim, tani Kosova ka Ambasada dhe konsullata, apo, ka përfaqësi të bollshme diplomatike, në të cilat, me shembullin e shumë shteteve të tjera, do të mund të organizoheshin votimet e mirëfillta për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Pjesëmarrja në këto votime me siguri do të ishte dyfish më e madhe, se sa numri i votave që arrijnë në Kosovë me postë.
(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)