Mësimdhënësit e Vitisë nesër protestojnë për paga

Mësimdhënësit e Komunës së Vitisë do të protestojnë nesër para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos procedimit të pagave për muajin shtator, ndërkohë që Ministria e Financave ka fajësuar komunën e Vitisë se nuk ka siguruar me kohë buxhetin e nevojshëm. Mos ekzekutimi i pagave nga Ministria e Financave ka krijuar shqetësim te punëtorët…

Lajme

03/10/2024 17:53

Mësimdhënësit e Komunës së Vitisë do të protestojnë nesër para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos procedimit të pagave për muajin shtator, ndërkohë që Ministria e Financave ka fajësuar komunën e Vitisë se nuk ka siguruar me kohë buxhetin e nevojshëm.

Mos ekzekutimi i pagave nga Ministria e Financave ka krijuar shqetësim te punëtorët e arsimit të komunës së Vitisë, të cilët kanë vendosur të shprehin pakënaqësitë në një protestë duke filluar nga ora 11:00, sipas njoftimit të SBASHK-ut.

Ministria e Financave para dy ditësh ka fajësuar Komunën e Vitisë se nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm, duke thënë se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës.

Por, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, gjatë një takimi sot me drejtorët e shkollave të kësaj komune adresoi kritika ndaj Ministrisë së Financave, duke kërkuar që të merren masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për të siguruar që pagat të shpërndahen sa më shpejt.

Ai ka theksuar se situata është e papranueshme dhe ka ndikuar negativisht në mirëqenien e mësimdhënësve dhe funksionimin normal të procesit arsimor.

Sipas Ministrisë së Financave, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.

“Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat, të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës. Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit”, ka bërë të ditur ministria.

Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, Ministria e Financave ka shprehur gatishmërinë që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjnë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe.