Mes Prekazit dhe Washingtonit – në kërkim të mandatit

Shkruan: Doruntina Meha Zgjedhja e presidentit të ri po kthehet në një teatër politik, ku çdo lëvizje peshohet më shumë në funksion të kontrollit sesa në funksion të shtetit. Në vend të një debati të qartë kushtetues dhe politik për profilin që i duhet vendit në krye të shtetit, po shohim kalkulime personale, sinjale të…

Opinion

24/02/2026 16:38

Shkruan: Doruntina Meha

Zgjedhja e presidentit të ri po kthehet në një teatër politik, ku çdo lëvizje peshohet më shumë në funksion të kontrollit sesa në funksion të shtetit. Në vend të një debati të qartë kushtetues dhe politik për profilin që i duhet vendit në krye të shtetit, po shohim kalkulime personale, sinjale të dyfishta, takime të heshtura dhe mesazhe të koduara për publikun. Institucioni i presidentit, që duhet të jetë simbol i unitetit dhe stabilitetit institucional, po trajtohet si pjesë e matematikës së pushtetit, jo si garanci e balancës ndërmjet institucioneve.

Kjo qasje e dëmton vetë peshën e postit. Presidenti nuk është figurë ceremoniale që përshtatet me nevojat e momentit politik. Ai ose ajo duhet të jetë faktor stabiliteti në kohë tensioni, zë i arsyes kur institucionet përplasen dhe garantues i funksionimit kushtetues të shtetit. Kur procesi reduktohet në pazare dhe kalkulime, dëmtohet jo vetëm institucioni, por edhe besimi publik tek shteti.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, duket se ka zgjedhur ta ndërtojë shpresën e saj politike mbi dimensionin ndërkombëtar, duke investuar fort në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pozicionimet e saj në Washington dhe retorika që nënkupton një afërsi të veçantë me administratën amerikane synojnë të krijojnë perceptimin se mbështetja ndërkombëtare mund të jetë faktor vendimtar për një mandat të dytë.

Por realiteti është shumë më kompleks. Në një kohë kur SHBA-ja është e përqendruar në kriza të mëdha globale, nga luftërat deri te rivalitetet gjeopolitike, pritja që çështjet e brendshme politike të Kosovës do të zgjidhen përmes sinjaleve diplomatike është një lexim i gabuar i prioriteteve ndërkombëtare. Presidenti i Kosovës nuk zgjidhet në Washington. Ai zgjidhet në Kuvend, me vota dhe me legjitimitet politik të brendshëm. Mbështetja ndërkombëtare mund të jetë vlerë shtesë, por nuk mund të zëvendësojë mungesën e konsensusit të brendshëm.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti nuk duket i gatshëm ta lërë këtë proces jashtë kontrollit të tij politik. Lëvizjet e tij drejt kontakteve me opozitën dhe sinjalet për kompromis nuk duken si përpjekje për një marrëveshje të gjerë shtetërore, por si përpjekje për të ndërtuar një formulë që i ruan balancat e brendshme të pushtetit. Në këtë kontekst, emri i një kandidati nga Prekazi është hedhur në qarkullim si një zgjidhje që do të siguronte legjitimitet moral, qetësi publike dhe presion minimal politik.

Dhe pikërisht këtu duhet bërë dallimi më i rëndësishëm.

Prekazi nuk është kapital politik. Familja Jashari nuk është rezervë morale për momentet kur politika ka nevojë të shpëtojë veten. Ata janë themeli moral i këtij shteti, simbol i sakrificës absolute dhe i unitetit kombëtar. Ata qëndrojnë mbi çdo parti, mbi çdo qeveri dhe mbi çdo cikël elektoral.

Prekazi është vendi ku liria nuk u shpall me fjalë, por u mbrojt me jetë. Adem Jashari dhe familja e tij nuk janë simbol për t’u përdorur në strategji politike apo për të ndërtuar komoditet pushteti. Ata janë histori, janë identitet, janë ndërgjegjja e këtij shteti.

Kosova do të ishte e nderuar nëse një ditë një përfaqësues i asaj familjeje do ta mbante postin e presidentit. Një figurë e tillë do të përfaqësonte dinjitet, sakrificë dhe simbolikë të fuqishme shtetërore. Por kjo duhet të ndodhë si rezultat i një bindjeje të sinqertë politike dhe institucionale, si shprehje respekti të përbashkët dhe jo si produkt i kalkulimeve të momentit.

Sepse kur emrat e mëdhenj përdoren për të zgjidhur krizat e pushtetit, rrezikohet të dëmtohet vetë madhështia e tyre. Sakrifica nuk mund të shndërrohet në mburojë për dështimet e askujt. Historia nuk duhet të përdoret si instrument për menaxhimin e krizave politike.

Ndërkohë, opozita mbetet e lëkundur mes pritjes dhe kalkulimit. Flitet për konsensus, por pa transparencë të plotë dhe pa një proces të qartë publik. Pa 80 vota, çdo përpjekje mbetet e pasigurt. Rreziku i një bllokade institucionale është real, dhe një vend që përballet me sfida të shumta të brendshme dhe të jashtme nuk ka luksin të hyjë në një krizë të re politike për shkak të rivaliteteve personale apo partiake.

Në thelb, kjo situatë po shndërrohet në një garë simbolesh. Njëra palë kërkon legjitimitet përmes mbështetjes ndërkombëtare, ndërsa pala tjetër përpiqet të ndërtojë legjitimitet përmes simbolikës kombëtare. Por presidenti i Kosovës nuk duhet të vijë as si rezultat i lobimit të jashtëm dhe as si produkt i instrumentalizimit të historisë.

Presidenti duhet të jetë figurë që garanton ekuilibër institucional, që flet kur pushtetet devijojnë, që mbron Kushtetutën pa hezitim dhe pa varësi politike. Një figurë që nuk i detyrohet askujt, përveç shtetit dhe qytetarëve.