Merret vendimi, vazhdohet paraburgimi për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ua kanë vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Vendimi është marrë më 13 mars 2025, nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”. Për të dy të akuzuarit, paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se nuk ka…

Lajme

17/03/2025 13:02

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ua kanë vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Vendimi është marrë më 13 mars 2025, nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të dy të akuzuarit, paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se nuk ka mjaftueshëm informacione se ata mund të ikin nga drejtësia, mirëpo ekziston rreziku që ata të pengojë zhvillimin e procedurave të DhSK-së, si dhe të kryejnë krime të tjera.

Këto krime, sipas gjyqtarëve ka rrezik të kryhen ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë dëshmi gjatë ditëve në vijim.

Andaj, paneli ka konstatuar se asnjë prej kushteve alternative nuk mund të zbusin rreziqet ekzistuese përveçse ai i paraburgimit në objektet e DhSK-së.

ZPS-ja për Krasniqin dhe Selimin ka parashtruar se duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi ndaj tyre mbetet i arsyeshëm.

Po ashtu, edhe Paneli ka vlerësuar se ky rast është i ndërlikuar duke marrë parasysh natyrën e akuzave si dhe dënimet e mundshme e po ashtu edhe rreziqet e vazhdueshme për pengim të drejtësisë. Andaj, si rrjedhojë ka gjetur se paraburgimi ndaj Krasniqit dhe Selimit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm për shkak të rrethanave specifike të rastit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.