Mëngjes në Tiffany

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj janë takuar sot në Tiffany, në Prishtinë, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt, Hajredin Kuçi dhe Blerim Shala. Kanë ndarë bashkë mëngjesin dhe një bisedë për disa çështje politike.

Lajme

14/09/2013 18:07

Në publik janë parë bashkë ditën kur Kryeministri Thaçi organizoi ceremoninë e pritjes në Aeroportin e Prishtinës për rikthimin e Ish Kryeministrit Haradinaj nga Tribunali i Hagës, ndërsa takimet i vazhduan edhe më tej.

Përshtypja fillestare ishte se të dy po ndërtonin një marrëdhënie të re politike, për ta ndarë pushtetin.

Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Sot, ata janë takuar në Restaurantin Tiffany, në Prishtinë, në orën 10:00.

Të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt, Hajredin Kuçi e Blerim Shala, ata ndanë së bashku mëngjesin dhe një bisedë për disa çështje politike.

Kryeministri Thaçi ka konfirmuar takimin, për lajmi.net, në të cilin është diskutuar për tema të rëndësisë nacionale.

Takimin me Liderin e AAK’së, Kryeministri Thaçi e ka quajtur të rregullt dhe të zakonshëm, në kuadër të takimeve që ai zhvillon me subjektet politike.

“Në kuadër të takimeve të rregullta si Kryeministër i vendit me liderët politikë, sot kemi zhvilluar një takim të zakonshëm me Kryetarin Haradinaj dhe Nënkryetarin Shala”, ka thënë Kryeministri Thaçi, për lajmi.net.

“Kemi diskutuar për dialogun në Bruksel, domosdoshmërinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura, për tranzicionin e EULEX’it, për procesin e reformës elektorale dhe nevojën e përmbylljes së saj më shpejt, për angazhimet e përbashkëta rreth procesit të Stabilizim Asociimit, si dhe për liberalizimin e vizave”.

“Pra, kanë qenë diskutime për çështje të rëndësisë nacionale, të zakonshme, që unë i bëj me të gjitha forcat politike.”

Nënkryetari i Parë AAK’së, Blerim Shala, po ashtu ka konfirmuar takimin dhe temat për të cilat është diskutuar.

Burime të lajmi.net thonë se në takim nuk ka munguar as tema aktuale e zgjedhjeve lokale. Natyrshëm, edhe mundësia e bashkëpunimit në prag të zgjedhjeve kur kërkohen aleanca mes partive dhe diskutimet e tilla janë normale.