Memli Krasniqi thërret për protestë në Hagë: “Të ngrihemi për drejtësinë dhe për çlirimtarët tanë”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për një protestë gjithëpopullore që do të mbahet të dielën, më 14 shtator në Hagë, në mbështetje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara. Krasniqi ka bërë të ditur se në këtë protestë do të marrin…

Lajme

09/09/2025 16:40

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për një protestë gjithëpopullore që do të mbahet të dielën, më 14 shtator në Hagë, në mbështetje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara.

Krasniqi ka bërë të ditur se në këtë protestë do të marrin pjesë strukturat e PDK-së në mërgatë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora e nga Kosova, të cilët do të ngrejnë zërin në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së, transmeton lajmi.net.

“Kjo protestë është thirrje për të vërtetën dhe për drejtësinë që u takon atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë,” deklaroi ai.

Duke theksuar se procesi në Hagë po i afrohet fundit, kreu i PDK-së u shpreh optimist për përfundimin e tij në favor të të akuzuarve.

“Populli i Kosovës pret me besim lirimin e shpejtë të heronjve të saj,” tha Krasniqi, duke shtuar se “UÇK-ja ishte dhe mbetet themeli i lirisë sonë”.

Ai përfundoi thirrjen e tij me një mesazh uniteti:

“Sot, më shumë se kurrë, kemi detyrë të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur nderin e saj dhe për të kërkuar drejtësi të barabartë për të gjithë. Bashkohu edhe ti për drejtësi!”./lajmi.net/