Memli Krasniqi i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit për takim konsultues nesër

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për takim konsultativ nesër në mëngjes. Krasniqi ka shkruar se inkurajon Kurtin ‘që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e…

Lajme

30/04/2025 22:06

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për takim konsultativ nesër në mëngjes.

Krasniqi ka shkruar se inkurajon Kurtin ‘që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale”.

Postimi i plotë:

Sot kam pranuar një letër nga Kryetari i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, z. Albin Kurti, me ftesë për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër.

Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim.

Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale.

Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.

Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.

Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.

Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media.