Meksikë, ushtria vret bosin e drogës, vendi në kaos

Të paktën 26 persona kanë humbur jetën pas valës së dhunës që shpërtheu në Meksikë, pas vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lider i kartelit famëkeq Jalisco Nueva Generación (CJNG). Sipas autoriteteve meksikane, viktimat përfshijnë 17 pjesëtarë të forcave të rendit (15 anëtarë të Gardës Kombëtare, një agjent të prokurorisë dhe…

Bota

23/02/2026 11:07

Të paktën 26 persona kanë humbur jetën pas valës së dhunës që shpërtheu në Meksikë, pas vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lider i kartelit famëkeq Jalisco Nueva Generación (CJNG).

Sipas autoriteteve meksikane, viktimat përfshijnë 17 pjesëtarë të forcave të rendit (15 anëtarë të Gardës Kombëtare, një agjent të prokurorisë dhe një roje burgu) si dhe tetë persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale. Ndër viktimat civile raportohet edhe një grua shtatzënë. Po ashtu, 27 persona janë arrestuar: 11 për akte dhune dhe 14 për plaçkitje biznesesh dhe institucionesh financiare.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, “El Mencho” u vra gjatë një operacioni të gjerë ushtarak në shtetin e Jalisco, i koordinuar me autoritetet amerikane. Operacioni u zhvillua në Tapalpa, ku forcat ushtarake, sipas zyrtarëve, u sulmuan dhe më pas reaguan në vetëmbrojtje, raporton CBS.

Gjatë përplasjes u vranë disa anëtarë të CJNG-së, ndërsa tre të tjerë, të plagosur rëndë, ndërruan jetë gjatë transportit ajror për në Mexico City. Mes tyre, sipas raportimeve, ishte edhe vetë Oseguera Cervantes.

“Individë të armatosur vunë zjarre dhe bllokuan rrugët për të penguar veprimet e autoriteteve”, deklaroi guvernatori i Jaliscos, Pablo Lemus, duke njoftuar aktivizimin e alarmit të kuq dhe ngritjen e një task-force sigurie.

Lajmi për vrasjen e “El Mencho” u prit pozitivisht në Uashington. ZëvendësSekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, e cilësoi eliminimin e tij si “një lajm të shkëlqyer për Meksikën, Shtetet e Bashkuara dhe rajonin”, duke shprehur njëkohësisht shqetësim për përshkallëzimin e dhunës.

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Jalisco, Tamaulipas, Michoacán dhe Nuevo León të qëndrojnë brenda për shkak të operacioneve të sigurisë dhe bllokimeve rrugore.

Ndërkohë, disa kompani ajrore ndërkombëtare, përfshirë United Airlines, Delta Air Lines dhe Air Canada, kanë anuluar fluturimet drejt aeroportit të Puerto Vallarta-s.

Pas operacionit, në disa zona të Meksikës janë raportuar bllokime rrugësh, djegie automjetesh dhe sulme sporadike. Në portin e Manzanillos janë pezulluar përkohësisht operacionet doganore.

Autoritetet kanë pezulluar mësimin me prezencë fizike në disa shtete, përfshirë Jalisco, Michoacán, Colima, Querétaro, Nayarit, Guanajuato, si dhe në disa zona të Veracruz dhe Oaxaca.

Vdekja e “El Mencho”, një nga figurat më të kërkuara të botës së krimit, me një shpërblim prej 15 milionë dollarësh të ofruar nga autoritetet amerikane, konsiderohet si një goditje e rëndë për një nga kartelët më të fuqishëm të drogës në Amerikën Latine.