Mehmeti-Selimi: Serbia s’mund të kërkojë të drejta për serbët në Kosovë, ndërsa shqiptarëve ua mohon ato

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka kritikuar Serbinë për, siç ka thënë, standardet e dyfishta në raport me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe përfaqësimin e komuniteteve, duke kërkuar njëkohësisht përgjegjësi për sulmin e armatosur në Banjskë. Duke komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në mbledhjen e Këshillit…

Lajme

22/10/2026 10:34

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka kritikuar Serbinë për, siç ka thënë, standardet e dyfishta në raport me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe përfaqësimin e komuniteteve, duke kërkuar njëkohësisht përgjegjësi për sulmin e armatosur në Banjskë.

Duke komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Mehmeti-Selimi ka thënë se ai foli për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por nuk dha përgjigje për rastin e Milan Radoiçiqit, të cilin ajo e cilësoi organizator të sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Në vend se të japë përgjigje për përgjegjësinë e shtetit serb në sulmin e Banjskës, Gjuriqi zgjodhi të fliste për familjen e presidentit të tij”, ka deklaruar deputetja e VV-së.

Ajo ka ngritur pikëpyetje për faktin që Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe nuk i dorëzohet drejtësisë në Kosovë, duke kritikuar, sipas saj, përpjekjet e Beogradit për ta zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësia për sulmin e armatosur drejt akuzave ndaj Kosovës.

Mehmeti-Selimi ka kritikuar edhe qëndrimin e përfaqësuesit rus në të njëjtën mbledhje, duke thënë se Rusia, e cila po vazhdon luftën kundër Ukrainës, nuk mund të paraqitet si autoritet moral për respektimin e sovranitetit.

“Kjo është kundërthënia e politikës së Beogradit dhe Moskës, ata kërkojnë zbatimin e parimeve që vetë i shkelin dhe mohojnë të drejtat që ua kërkojnë të tjerëve”, ka thënë ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes ka theksuar se, nëse Serbia ngre çështjen e të drejtave të komuniteteve në Kosovë, atëherë duhet të trajtojë edhe gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ajo ka përmendur pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet shtetërore dhe pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe.

Mehmeti-Selimi ka vënë në pah edhe dallimin në përfaqësimin parlamentar, duke thënë se komuniteti serb në Kosovë i ka dhjetë vende të garantuara në Kuvend, ndërsa shqiptarët në Serbi nuk kanë vende të tilla të garantuara.

“Republika e Kosovës i garanton me Kushtetutë të drejtat e komuniteteve të saj, ne kërkojmë që të njëjtat parime të vlejnë edhe për shqiptarët në Serbi”, ka deklaruar ajo.

Në deklaratën e saj, Mehmeti-Selimi u është drejtuar edhe shqiptarëve me të drejtë vote në Serbi, duke i ftuar të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe ta mbështesin Koalicionin Shqiptar të udhëhequr nga Shaip Kamberi.

Ajo e ka cilësuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare si përgjigje ndaj përpjekjeve për dobësimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve.

“Përballë diskriminimit, bashkimi rreth të drejtave të përbashkëta është më i rëndësishëm se dallimet ndërmjet subjekteve politike”, ka thënë deputetja e VV-së.

Në përfundim, Mehmeti-Selimi ka ritheksuar se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë ta mbështesë përfaqësimin politik të shqiptarëve në Serbi dhe kërkesat e tyre për barazi, arsim, punësim dhe dinjitet.

“Të drejtat e njeriut nuk janë instrument i politikës së jashtme, ato janë detyrim i shtetit ndaj çdo qytetari dhe Serbia duhet të fillojë zbatimin aty ku qeveris ajo”, ka përfunduar Mehmeti-Selimi. /Lajmi.net/