Mehmeti: Do të kërkoj mbledhje të jashtëzakonshme për çështjen e mbeturinave
Asamblisti i Aleanca Kosova e Re, Gëzim Mehmeti tha se do të bëjë kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në kërkim të zgjidhjes së çështjes së mbeturinave në kryeqytet. Ai në një konference për media, kërkoi që urgjentisht të formohet Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjeve Lokale. “Sot do të kërkoj…

Lajme
Asamblisti i Aleanca Kosova e Re, Gëzim Mehmeti tha se do të bëjë kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në kërkim të zgjidhjes së çështjes së mbeturinave në kryeqytet.
Ai në një konference për media, kërkoi që urgjentisht të formohet Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjeve Lokale.
“Sot do të kërkoj një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ku kërkesë e vetme është të bëhet një zgjidhje e përbashkët e gjithë akterëve institucionalë sa i përket organit legjislativ, ekzekutiv dhe partive politike që së bashku të dalim nga kjo krizë që ka kapluar qytetin. Kërkoj që urgjentisht të formohet Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjeve Lokale që do ta mbikëqyrë punën e bordit të ndërmarrjes ‘Pastrimi’. Kuvendi Komunal që disa muaj dhe disa vite nuk e ka funksional komisionin. Le ta formojë shumica, a është pozita apo opozita votën time do ta ketë që ta formojmë që të gjejmë mënyra së bashku me ekzekutivin dhe legjislativin të dalim nga kjo krizë”, tha ai.
Mehmeti tha se “inatet personale dhe politike në nivel lokal dhe qendror po vështirësojnë jetën e banorëve të Prishtinës”.
“Është krijuar një dukuri ku inatet personale dhe politike, si në nivel qendror ashtu edhe lokal po ua vështirësojnë jetën e qytetarëve, duhet t’i largojmë këto dukuri mos të kthehemi në të kaluarën por të bëjmë zgjidhje të çështjes së mbeturinave në qytet dhe kriza është aktuale dhe çdo heshtje dhe indiferencë jemi jashtë obligimeve dhe përgjegjësive që i kemi ndaj qytetarëve”, tha ai. /kp