Mehmetaj: Albin Kurti nuk e lëshon pushtetin përveç nëse detyrohet, është uzurpator

Analisti Lirim Mehmetaj ka deklaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk do ta lëshojë pushtetin përmes rotacionit demokratik, por vetëm nëse detyrohet nga mekanizmat shtetërorë. Në emisionin Debat Plus, Mehmetaj e ka quajtur Kurtin “uzurpator”, duke theksuar se “përveç fjalës që nuk po e thotë, po na tregon vet”. “Kush mendon që Albin Kurti ka…

Lajme

12/06/2025 23:18

Analisti Lirim Mehmetaj ka deklaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk do ta lëshojë pushtetin përmes rotacionit demokratik, por vetëm nëse detyrohet nga mekanizmat shtetërorë.

Në emisionin Debat Plus, Mehmetaj e ka quajtur Kurtin “uzurpator”, duke theksuar se “përveç fjalës që nuk po e thotë, po na tregon vet”.

“Kush mendon që Albin Kurti ka ardhur në pushtet për t’u larguar përmes rotacionit demokratik, është një torollak në politikë. Albin Kurti nuk e lëshon në asnjë formë pushtetin përveç nëse detyrohet përmes mekanizmave të shtetit”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka shtuar se dëshirat e Kurtit për bashkëqeverisje janë të orientuara kah LDK-ja apo PDK-ja, duke besuar se në këtë mënyrë e arrin stabilitetin e nevojshëm politik dhe qeverisës.

Në vijim, Mehmetaj ka kritikuar edhe qeverisjen aktuale dhe mënyrën si, sipas tij, partitë politike janë të lidhura me interesa të biznesit.

“Bizneset i pozicionojnë partitë”, ka thënë ai, duke përmendur hajninë dhe problematikat në sektorin e energjisë elektrike.

Sipas tij, çdo parti politike është e lidhur në një mënyrë me ndonjë biznes, veçanërisht në fushën e energjisë, ku sipas tij “është ka vidhet më së shumti”, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Mehmetaj ka kritikuar edhe partitë e ish-opozitës, duke thënë se nuk flasin për këto çështje, përveç disa individëve të veçuar nga radhët e tyre.

Ai ka komentuar edhe qëndrimin e LDK-së dhe kërkesën e Lumir Abdixhikut për bashkëpunim me Vetëvendosjen, të cilën e cilësoi si “goditje në logjikën më bazike të sjelljes politike”.

“Nuk ka kurrfarë kuptimi për mua”, ka shtuar Mehmetaj, duke e cilësuar qasjen e LDK-së si të gabuar në esencë.

Ndër të tjera, Mehmetaj ka komentuar edhe ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, duke e akuzuar për shantazh publik ndaj PDK-së dhe kryetarit të saj, Memli Krasniqi, për katër vite rresht.

“Ka dalë publikisht dhe ka thënë se i ka dorëzuar qindra dosje, të cilat kurrë nuk e morëm vesh cilat qenë, kurrë nuk na i saktësoi milionat e vjedhura nga ish-regjimi, kryesisht ia faturojke PDK-së”, ka deklaruar Mehmetaj.

Ai ka përmendur edhe një skandal multimilionësh në Ministrinë e Bujqësisë, duke kritikuar reagimin e vonuar dhe të dobët të PDK-së.

“Këtu shtohet dyshimi se çka ndodh – prapë biznesi në mes”, ka përfunduar ai.