Mediat informohen nga KPM për rregulloren dhe obligimet zgjedhore
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka mbajtur një tryezë diskutimi me përfaqësues të mediave të licencuara, në kuadër të angazhimeve për procesin zgjedhor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme 2025. Takimi u mbajt më 18 dhjetor 2025 dhe kishte për qëllim informimin e mediave lidhur me obligimet ligjore gjatë fushatës zgjedhore, në përputhje me Ligjin Nr.…
Lajme
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka mbajtur një tryezë diskutimi me përfaqësues të mediave të licencuara, në kuadër të angazhimeve për procesin zgjedhor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme 2025.
Takimi u mbajt më 18 dhjetor 2025 dhe kishte për qëllim informimin e mediave lidhur me obligimet ligjore gjatë fushatës zgjedhore, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore të KPM-së, me theks të veçantë në Rregulloren e KPM-së Nr. 2024/03.
Në fjalën hyrëse, Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së, Niman Racaj, theksoi rëndësinë e respektimit të obligimeve ligjore nga ana e mediave, duke vënë theksin në trajtimin e barabartë të subjekteve politike, transparencën në publikimin e çmimeve për reklamim politik, orarin e mbulimit të fushatës zgjedhore nga ora 12:00 deri në 24:00, si dhe kufizimet kohore për emetimin e reklamave politike.
Gjatë punëtorisë u diskutua gjithashtu për kohën pa pagesë në dispozicion të subjekteve politike, kriteret për organizimin e sondazheve të opinionit publik, si dhe respektimin e heshtjes zgjedhore.
Po ashtu, përfaqësuesit e KPM-së prezantuan të dhëna nga Raporti i Monitorimit të Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, duke evidentuar shkeljet më të shpeshta dhe sfidat e hasura gjatë procesit zgjedhor.
Në takim u prezantua edhe platforma e-KPM, e cila shërben për plotësimin e ditarëve zgjedhorë dhe synon të lehtësojë raportimin nga ana e mediave përmes një formati më të thjeshtë dhe praktik.
Tryeza u përmbyll me diskutime të hapura mes pjesëmarrësve mbi sfidat e raportimit profesional dhe rolin e mediave në informimin e drejtë dhe të paanshëm të publikut gjatë procesit zgjedhor.