Medea Euripidit si metaforë për migracionin shqiptar
Lidhjet e dramës “Duke menduar Medean” me aktualitetin, para së gjithash me atë shqiptar, janë të shumëfishta: Mes tjerash, Medea ka qenë refugjate dhe përmes kësaj, shfaqja i flet realitetit aktual.
ShowBiz
Nga “Medea” e Euripidit dhe e ajo e mitit 10 mijë vjeçar është marrë vetëm motivi fillestar dhe ikonografia, gjegjësisht pjesë të kostumografisë dhe skenografisë. Ndryshe, vetë titulli “Duke menduar Medean” i shfaqjes që po jepet këto ditë në Aarau të Zvicrës, të orienton nga ideja që “Medea” këtu shërben vetëm si nxitje për të menduar rreth motivit të tragjedisë së njohur antike. Dhe ky të menduar, sipas autorëve, Beatrice Fleischlin dhe Gjergj Prevazi, duhet t`i flasë të tashmes.
Medea pra njihet për aktin më makabër që ka mundur të bënte një nënë: vrasjen e fëmijëve të saj, si hakmarrje për tradhtinë e të shoqit, Jasonit, gjegjësisht për lakminë e tij për pushtet. Por shfaqja nw teatrin ‘Tuchlaube’ të Aaraut e kursen publikun nga çfarëdo vrasje ose gjakderdhje.
“Po çfarë bëhet me fëmijët?” ia bën disa herë pyetjen retorike Medeas, Jasoni, karakteri i luajtur nga Labinot Rexhepi. “Ti duhet t`i vrasësh ata, kështu shkruan në tekst” sugjeron ai, duke e shpërfytyruar kështu idenë e tragjedisë antike dhe njëherësh duke zbritur në realitetin modern, në të cilin nuk ka vend një makabritet i tillë. Këtë e thotë edhe Medea (Beaterice Fleischlin) në përgjigjen e saj: “Teksti është shkruar para 2400 vitesh. Dhe ky dialog shihet në një mënyrë edhe si një lloj dekodimi i idesë së shfaqjes.
Ndërsa lidhjet e dramës me aktualitetin, para së gjithash me atë shqiptar, janë të shumëfishta. Siç e thotë për albinfo.ch bashkautori, koreografi i njohur nga Tirana, Gjergj Prevazi, “Medea është femra e parë moderne në botë”. Këtë ai e mbështet në guximin e saj për të luftuar për pavarësinë e saj në jetë.
“Të mos harrojmë, Medea ka qenë refugjate në disa vende të ndryshme ku e ka sjellë jeta. Dhe si e tillë ajo ka guxuar të luftojë për lirinë e saj si femër”. Nisur nga kjo, Prevazi thotë se ideja e shfaqjes ka qenë po ashtu të lidhet me problemin aktual të refugjatëve, gjegjësisht edhe me realitetin shqiptar që prodhon refugjatë dhe pjell drama të rënda jetësore.
Shfaqja “Thinking about Medea-Duke menduar Medean” fillimisht është dhënë në Teatrin e Durrësit, verën që shkoi. Në janar ajo është shfaqur në Bazel ndërsa më 6 prill ka filluar edhe seria e shfaqjeve të saj në Aarau.
Shfaqja është një koproduksion teatror në mes Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës.
