Me paga por pa Kuvend të konstituuar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të marrin pagën që nga momenti i betimit të tyre më 19 prill, përkundër ngërçit të krijuar në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Nga katër tentimet për konstituimin e organit legjislativ, të zgjedhurit e popullit do të paguhen për dy seancat e fundit, ani pse legjislatura e nëntë ende…

Lajme

22/04/2025 18:15

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të marrin pagën që nga momenti i betimit të tyre më 19 prill, përkundër ngërçit të krijuar në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Nga katër tentimet për konstituimin e organit legjislativ, të zgjedhurit e popullit do të paguhen për dy seancat e fundit, ani pse legjislatura e nëntë ende nuk është konstituuar.

Një gjë e tillë, sipas monitoruesve të punës së legjislativit është e përcaktuar sipas Rregullores së Kuvendit.

Lidhur me këtë, KosovaPress ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim të Kuvendit të Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka të drejtën ekskluzive që të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Përkitazi me këtë, kjo parti ka prezantuar për kryeparlamentare, deputeten Albulena Haxhiu, mirëpo e njëjta në seancën e 19 prillit – në dy tentime – nuk mori 61 votat e nevojshme.

Partitë e tjera parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, nuk e mbështeten dhe deklaruan se emri i Haxhiut është i papranueshëm për ta. Ndërkaq, tre deputetët nga Nisma Socialdemokrate abstenuan, kurse deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje nuk mori pjesë fare në votim.

Meqenëse situata politike ka mbetur e njëjtë, deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca në seancën e të hënës kërkoi marrëveshje politike me partitë e tjera parlamentare për të ecur tutje, mirëpo theksoi se emri i Haxhiut për LVV-në është i pandryshueshëm. Për këtë arsye, nuk u hodh fare në votim dhe vazhdimi i seancës është shtyrë për të mërkurën në orën 10:00.

Megjithëse situata në Kuvend është bllokuar, monitoruesi i punës së legjislativit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku thotë për KosovaPress se deputetët do të gëzojnë të gjitha privilegjet e tyre që nga momenti i betimit më 19 prill.

Ai thekson se pavarësisht që seanca konstituive mund të ndërpritet në pafundësi, deputetët do të marrin pagën e tyre.

“Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës por edhe legjislacionit në fuqi, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga momenti i betimit i gëzojnë të gjitha benefitet që i përcakton ligji në fuqi, për shpërblimin ose kompensimin që ata i marrin sa i përket mëditjeve apo udhëtimeve që iu takon sipas rregullativave përkatëse. Rrjedhimisht sa herë që vazhdohet seanca edhe pse ndërpritet, duhet parë edhe faktin se ani pse nuk është konstituar Kuvendi megjithatë deputetët i gëzojnë benefitet dhe i marrin ato sa herë që ka ftesë dhe caktohet dhe mbahet seancë e Kuvendit për zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit”, thekson ai.

Ai, gjithashtu, shton se pasi anëtarët e kabinetit qeveritar të cilët janë zgjedhur edhe deputetë nuk duhet të ushtrojnë detyrat e tyre në ekzekutiv dhe as të marrin pagë.

Në lidhje me këtë, KosovaPress i ka dërguar pyetje zëdhënësit të qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, mirëpo i njëjti nuk ka treguar nëse anëtarët e kabinetit qeveritar të cilët janë zgjedhur edhe deputetë do të marrin pagën edhe si ministra në detyrë krahas pagës dhe mëditjeve në legjislativ.

“Përfshirë edhe deputetët e zgjedhur që janë edhe në kabinetin qeveritar, duhet theksuar se të njëjtit në momentin që zgjedhen deputetë ‘ipso-jure’ mendoj se nuk duhet të ushtrojnë funksionin e anëtarit të qeverisë, madje as të marrin pagë pasi ligji në Kosovë nuk e lejon që një person në sektorin publik të marrë dy paga në kuptimin e pagës primare”, shton hulumtuesi në KDI.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar të mbahet të mërkurën në orën 10:00.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë theksuar se do të vazhdojnë të propozojnë deputeten e zgjedhur, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, përkundër që në dy tentime ajo nuk mori 61 votat e nevojshme.