Me humbjen e një mandati parlamentar, Lista Serbe mund të mos jetë pjesë e Qeverisë

Qeveria e ardhshme e Kosovës mund të formohet pa Listën Serbe, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i konfirmon rezultatet aktuale të zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas të cilave, një nga dhjetë vendet parlamentare – të rezervuara për komunitetin serb – i ka shkuar Partisë së Nenad Rashiqit për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Kështu thotë Eugen…

Lajme

10/03/2025 21:17

Qeveria e ardhshme e Kosovës mund të formohet pa Listën Serbe, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i konfirmon rezultatet aktuale të zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas të cilave, një nga dhjetë vendet parlamentare – të rezervuara për komunitetin serb – i ka shkuar Partisë së Nenad Rashiqit për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Kështu thotë Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.

Kjo do të ishte hera e parë që Lista Serbe nuk do të ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 2013, pasi që, deri më tash, ajo i ka fituar të dhjetë vendet parlamentare, të rezervuara për komunitetin serb.

Me Kushtetutën e Kosovës, një pozitë ministrore në Qeverinë e Kosovës i është rezervuar komunitetit serb, ndërsa një tjetër komuniteteve tjera minoritare joserbe. E, nëse Qeveria e Kosovës përbëhet nga më shumë se dymbëdhjetë ministri, atëherë emërohet edhe një ministër tjetër nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Përzgjedhja e këtyre ministrave bëhet në konsultim me partitë parlamentare dhe nëse dikush emërohet prej partive që nuk kanë hyrë në Kuvend, atëherë është i nevojshëm miratimi zyrtar nga shumica e deputetëve të komunitetit, nga i cili është emëruar ministri.

Bazuar në këtë nen të Kushtetutës, Cakolli thotë se një qeveri pa Listën Serbe – nëse konfirmohen rezultatet e tanishme preliminare – sigurisht që do të ishte legjitime në aspektin juridik, por se konsultime do të duhej të bëheshin me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë Listën Serbe.

Politologu serb, Ognjen Gogiq, beson se Lista Serbe nuk dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, ajo ka luftuar për t’i marrë të dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës vetëm që të mund t’i bllokonte disa procese.

“Ata (Lista Serbe) më shumë do të donin të kishin mundësi për të bllokuar zgjedhjen e ministrit serb”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Marrëdhëniet mes Listës Serbe dhe partive shqiptare

Lista Serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për qëndrimin e saj sa i përket pjesëmarrjes në Kuvendin apo Qeverinë e Kosovës, përkatësisht nëse do të marrë pjesë aktive apo do të vazhdojë me “politikën e bojkotimit”. Në dy vjetët e fundit, deputetët e kësaj partie kanë shkuar në Kuvend çdo gjashtë muaj, vetëm për të mos i humbur mandatet apo pagat.

Ivan Zaporozhac, nga Lista Serbe, ka thënë për mediat në gjuhën serbe në Kosovë se “Kurti po përpiqet, në çdo mënyrë, ta shtyjë Rashiqin në Kuvend dhe ta formojë qeverinë përmes tij”.

Por, ai ka thënë se shpreson se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë “një qeveri të tillë të paligjshme dhe jolegjitime”.

Kryeministri Kurti, në anën tjetër, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, në favor të Listës Serbe.

Po ashtu, Lëvizja e tij Vetëvendosje ka bërë përpjekje ta sfidojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, sepse, përveç tjerash, ajo nuk e njeh Kosovën si shtet.

Mospajtime me Listën Serbe kanë pasur edhe qeveritë e mëparshme të Kosovës.

Për shembull, kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje në vitin 2019, për shkak se Qeveria e atëhershme e Ramush Haradinajt ka vendosur një taksë 100% mbi importet e mallrave nga Serbia.

Në këtë kontekst, Gogiq thotë se çdo mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës do të tentojë “ta anashkalojë” Listën Serbe. Megjithatë, thekson se kjo parti është përfaqësuesja “më legjitime” e serbëve, marrë parasysh se ka fituar nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka marrë rreth 38.000 vota dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë rreth 4.000.

“Kjo është një krizë legjitimiteti – ata që kanë më shumë vota, nuk duan të përfshihen, e ata që përfshihen, nuk kanë legjitimitet. Kjo nuk e zgjidh problemin, por e thellon atë”, thotë Gogiq.

Cakolli, nga ana tjetër, thotë se negociatat për formimin e qeverisë, sigurisht që duhet të përfshijnë Listën Serbe, por të kenë një qasje tjetër.

“Të merret parasysh qasja antagoniste e Listës Serbe ndaj Kosovës si shtet dhe kushtetutshmërisë së vendit tonë. Nuk ka gjasa që Lista Serbe të ndryshojë qasje, por Kurti apo cilido mandatar tjetër duhet së paku të përpiqen, të shohin nëse ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrime”, thotë Cakolli.

Ai shton se votat e Listës Serbe janë vendimtare për miratimin e ligjeve të rëndësishme apo të ndryshimeve kushtetuese dhe se kjo është një nga arsyet përse kjo parti nuk mund të anashkalohet aq thjesht.

Marrëdhëniet mes Listës Serbe dhe Nenad Rashiqit

Zyrtarë të Listës Serbe, por edhe zyrtarë të lartë të Serbisë e etiketojnë shpeshherë Rashiqin si “serb të Kurtit”.

Më 7 mars, Lista Serbe ka thënë se Rashiq, “falë” Kurtit dhe votave të shqiptarëve, ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Rashiq është kundërpërgjigjur, duke thënë se votat për të nuk mund të kontestohen, sepse, në dy vjetët e fundit, ai ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe se me punën e tij, ka fituar besimin e komuniteteve tjera pakicë që jetojnë në Kosovë, e jo vetëm të serbëve.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rashiq zotohet se do të bashkëpunojë me deputetët e Listës Serbe, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të komunitetit serb.

“Unë kam qenë gjithmonë [në favor të bashkëpunimit] dhe do të jem. Deri më tani, nuk kanë treguar se janë duke bërë diçka në interes të serbëve. Nëse ndryshon diçka, unë jam gati”, thotë Rashiq.

Tash për tash, nuk dihet se kush do të ketë sukses në formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48 nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se partia e tij planifikon ta formojë qeverinë me ndihmën e votave të komuniteteve pakicë joserbe.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj kësaj deklarate.

“Për herë të parë, Konjufca ka të drejtë, sepse Rashiqin e ka përfshirë si përfaqësues joserb. Kurti e ka ditur se çfarë bën kur me votat e shqiptarëve, duke mashtruar, e ka futur Rashiqin në Kuvend”, ka shkruar Rashiq në rrjetet sociale.

Me Kushtetutën e Kosovës, nga gjithsej 120 vende parlamentare në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.

Megjithatë, edhe me mbështetjen e komuniteteve joserbe, Lëvizja Vetëvendosje do t’i kishte 58 ulëse, të cilat nuk mjaftojnë, sepse për formimin e Qeverisë nevojiten 61.

Partitë aktuale opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë hedhur poshtë mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen.

Këtë qëndrim e kanë shprehur edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Por, kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, i cili ka marrë pjesë në zgjedhje në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me Vetëvendosjen apo partitë tjera opozitare. /REL