Më 2015 mbyllet procesi për vizat

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se viti 2015 është viti në të cilin do të ndodh liberalizmi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Lajme

13/02/2015 11:09

Ai në fjalimin e tij gjatë takimit të Komitetit Drejtues për liberalizim të vizave, i cili është mbajtur të premten në Prishtinë, ka thënë se çështja  liberalizmit të vizave mbetet prioritet për Qeverinë e Kosovës.

“Dialogu për liberalizmin e vizave me Bashkimin Europian është prioritet i Qeverisë së Kosovës, viti  2015 mbetet vit i përfundimit të këtij procesi”.

“Ky proces përveç tjerash varet edhe nga angazhimi dhe dinamika jonë  në zbatimin e kritereve të mbetur , sa i përket negocimit dhe nënshkrimit  të marrëveshjeve për riatdhesim me disa nga shtetet, në të cilat ka nisur ky proces”, është shprehur kryeministri Mustafa.

Ai ka përmendur se Kosova duhet të kryej obligime që ka nga ky proces, duke përmendur si shumë të rëndësishme luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mustafa në këtë takim ka përmendur edhe migrimin ilegal të qytetarëve, që e ka quajtur si shqetësuese.

“Është një realitet i hidhur për mua, Qeverinë e Kosovës dhe për të gjithë neve. Andaj ne do të bëjmë reforma në zhvillimin ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë, që të krijomë kushte më të mira për jetë”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka thënë edhe njëherë se qytetarët duhet ta kenë të qartë se vendet e Bashkimit Evropian nuk do të japin azil për kosovarët pasi Kosovën e llogaritin si vend të sigurt.

Komiteti Drejtues për liberalizim të vizave

Ndërkaq ministri për Integrime Europiane, Bekim Çollaku, ka thënë se Kosova përkundër progresit të shënuar, ka ende për të bërë në plotësimin e kritereve të nevojshme për liberalizim të vizave.

Ai ka thënë se nga takimet që ka pasur me zyrtarë të Komisionit Europian, janë pajtuar për të dërguar një raport përfundimtar, vetëm atëherë kur vlerësohet se Kosova i ka përmbushur kriteret e mbetura.

“ Prandaj edhe raporti ynë do të dërgohet në Komisionin Europian, vetëm atëherë kur të vlerësojmë se kemi arritur të përmbushim të gjitha veprimet dhe masat  e parapara me dokumentet strategjike. E tëra qa ka mbetur varet nga angazhimi dhe dinamika jonë në zbatimin e kritereve të mbetura”, ka thënë Çollaku.

YouTube player