Me 1 milion euro të ndara për ilaç të rriqrave, raportohet se u ble ilaç i morrave- A po kalon edhe kjo në heshtje?

Një 1 milion euro të buxhetit të Kosovës, të ndara për blerjen e ilaçit të rriqrave për të parandaluar sëmundjen e Etheve Hemorragjike-Krimeve Kongo, nuk shkuan në “adresën” e duhur. Sipas raportimeve, AUV në vend të ilaçit të rriqrave, ka blerë ilaç të morrave. Siç raporton Periskopi, ai ilaç është efektiv vetëm ndaj morrave dhe…

Lajme

30/04/2025 14:56

Një 1 milion euro të buxhetit të Kosovës, të ndara për blerjen e ilaçit të rriqrave për të parandaluar sëmundjen e Etheve Hemorragjike-Krimeve Kongo, nuk shkuan në “adresën” e duhur.

Sipas raportimeve, AUV në vend të ilaçit të rriqrave, ka blerë ilaç të morrave.

Siç raporton Periskopi, ai ilaç është efektiv vetëm ndaj morrave dhe mizave, ndërsa nuk lejohet as për përdorim te dhitë. Ky skandal është zbuluar nga një raport i auditimit të brendshëm të AUV-së, i siguruar nga Periskopi. Në raport evidentohen mashtrime të rënda kontraktuale që e bëjnë tenderin jo vetëm të paefektshëm, por një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.

Në raportimin e brendshëm të Auditimit të Agjencisë së Ushqimit, evidentohet gjetja se si grupi i operatorëve ekonomik: FIDAN KRASNIQI BI SH.P.K; THERANDA VETS SH.P.K; Vector Pest Control SH.P.K; Jusuf Berisha; Ganimet Pirana B.I; Bujar F. Ejupi B.I kanë mashtruar kur kanë përdorur preparatin e quajtur Deltanil, sepse nuk i vret rriqrat, por morrat dhe mizat .

Këta operator ekonomik me kontratë kishin të përshkruar dezinsektimin-repilimin e  44 fshatra të Komunës se Malishevës, 33 fshatra të Komunës së Rahovecit, 13 fshatra të Komunës së Klinës dhe 6 fshatra të Komunës se Suharekës. Në repelim do të përfshihen 150000 krerë gjedhe, 100000 krerë dele dhe dhi, dhe 75000 metra katror dezinsektim të fermave në Komunën e Malishevës. Por krejt këto fshatra, dele, dhi, gjedhe po del që nuk janë repiluar e as dezinsektuar me preparatin kundër rriqrave, por kundër morrave. Efekti është zero nëpër ferma, por rreziku ndaj shëndetin të njerëzve është rritur.

Në lidhje me këtë, me ironi ka reaguar edhe Ehat Miftaraj nga IKD.

“1 milion Euro të buxhetit në morr/a?? Nëse del e vërtetë pak zor me kapërdi këtë gabim një milion Euro. Apo edhe kjo kalon në heshtje, ose me një foto tjetër me plis në kokë”, ka shkruar Miftaraj.
Lajmi.net ka dërguar pyetje tek AUV dhe Ministria Bujqësisë, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje./Lajmi.net/