MD e hapur për ndryshime të KPPRK-së për të lehtësuar gjykimin e Radoiçiqit e të tjerëve
Një ndër opsionet që është diskutuar për të lehtësuar gjykimin e Milan Radoiciqit, e grupit të tij që ndodhet në arrati, e që janë të akuzuar për sulmin e Banjskës, është ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale. Ministria e Drejtësisë, është shprehur e hapur për diçka të tillë, në rast se institucionet përgjegjëse vlerësojnë se…
Lajme
Një ndër opsionet që është diskutuar për të lehtësuar gjykimin e Milan Radoiciqit, e grupit të tij që ndodhet në arrati, e që janë të akuzuar për sulmin e Banjskës, është ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale.
Ministria e Drejtësisë, është shprehur e hapur për diçka të tillë, në rast se institucionet përgjegjëse vlerësojnë se kjo lehtëson punën e tyre.
Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë u shpreh “Është tejet e rëndësishme të bëhet presion për Serbia, që të dorëzojë kriminelet, pra kryeterroristin Milan Radoiciq por edhe gjithë të tjerët, që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë, e që si pasojë kemi vrasjen e një polici, në këtë drejtim partenerët tanë ndërkombëtar duhet të vazhdojnë të bëjnë presion tek Serbia, MD-ja nuk e ka në plan që të bëjë ndryshime në Kodin penal apo kodin e procedurës penale, por më duhet të theksojë që jemi me vullnet të plotë që të adresojmë secilën sfidë që kanë institucionet për adresimet e këtij rasti…Jemi të gatshëm që të kontribojmë me gjithcka në këtë drejtim.”
Derisa, Gjykata Themelore në Prishtinë, ende nuk ka bërë të ditur vendimin e saj se si do të procedohet me këtë rast, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit thotë se Supremja është dashur të qartësojë dilemat e Themelores.
E sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në asnjë formë nuk duhet të nisen ndryshime të tilla, vetëm për një rast meqë kjo do të mund të keqkuptohej jashtë Kosovës.
Ehat Miftaraj – Drejtor i IKD-së u shpreh se “Në asnjë shtet normal në asnjë shtet ku zbatohen parimet e sigurisë juridike, nuk ndërrohet Kodi i procedurës penale, për tiu përshtatur një gabimi të prokurorisë të gjykatës, apo për tiu përshtatur një rasti t vecantë dmth kjo nuk ndodhë në botën demokratike, në anën tjetër në kohën kur është bërë kodi janë marr edhe rekomandimet e Venecias, edhe qëndrim, parim që gjykimi në mungesë është përjashtim e nuk është rregull.”, tha Miftaraj për Dukagjini.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në shtator ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin e 24 shtatorit, të vitit të kaluar, që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.
Gjykimi ka nisur ndaj 3 të akuzuarve që janë në paraburgim, derisa ndaj 42 të tjerëve përfshirë edhe Milan Radoiciqin, është kërkuar të vazhdohet me gjykimin në mungesë.