Mbytet në lum një 18-vjeçar

Një 18-vjeçar humbi jetën në lumin Erzen të Tiranës, teksa po peshkonte së bashku me dy shokë të tij.

Lajme

07/06/2015 11:40

Viktima është Igli Xhameta, 18 vjeç nga Sharra. Ai kishte dalë për të gjuajtur peshk me dy bashkëmoshatarët e tij, por fatkeqësisht humbi jetën pasi u rrëmbye nga ujërat e lumit Erzen.

Adoleshenti kishte hyrë në thellësi të lumit për të kapur peshk kur e mori rrjedha e lumit. Menjëherë dy shokët e tij u munduan t’i vijnë në ndihmë, por pa mundur për shkak të rrjedhës së fortë. Në pamundësi për t’i dhënë ndihmë 18-vjeçarit Xhameta, ata lajmëruan familjarët dhe këta të fundit njoftuan policinë.

Në vendin e ngjarjes mbërritën efektivët dhe zhytësit e forcave RENEA të cilët nxorrën nga lumi trupin e pajetë të 18-vjeçarit. Viktima u dërgua në morg për t’i bërë ekspertizën mjeko-ligjore. Ndërkohë që policia mori në pyetje edhe dy shokët e 18-vjeçarit që humbi jetën, për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes,raportojnë mediat në Shqipëri.