Mbyllja e Kutisë së Pandorës

Ne duhet të mbyllim Kutin e Pandorës me Serbinë. Ajo është hapur qëmoti dhe do të mbetet e tillë derisa të mos ketë Marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.

Opinion

20/09/2018 10:10

Në politikën kosovare tash e sa muaj po ndodhë debati për finalen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në masë të madhe, ai është spontan, i paorganizuar pra, i mbushur me emocione dhe me mungesë analizash serioze, pak racional dhe shumë më tepër nevrik, duke sipërfaqësuar të gjithe defektet  (e shumta) të kësaj politike, e cila në përgjithësi, është në ‘rënie të lirë’  (si thuhet), tash e katër vjet.

Kryetema e gjithë këtij diskutimi publik, së paku në shikim të parë, është pra përmbyllja e bisedimeve politike me Beogradin zyrtar, të cilat në një mënyrë apo tjetrën, po zhvillohen tash e njëzet vjet. Kemi të bëjmë me synimin të mbështetur ndërkombëtarisht  (nga SHBA-ja, BE-ja si e tillë dhe të gjitha shtetet kryesore perëndimore), për definimin legal dhe politik të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo për konfirmimin ligjor të normalizimit të këtyre relacioneve.

Por ja që mënyra se si ka ecur, së paku deri më tash, debati në politikën vendore për këtë dialog, ka devijuar në tërësi, sepse diku udhës është harruar pse është nisë i gjithë ky diskutim publik ndër ne.

Në vend se të mirremi me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, ne po i trajtojmë relacionet brenda institucioneve të Kosovës, ato të Qeverisë me opozitën, madje, edhe raportet brenda entiteteve të veçanta politike.

Ideja e adresimit të qëllimit kryesor vendor dhe ndërkombëtarë të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, është menjanuar në masë të madhe, për ta shfaqur karakterin e çrregulluar të politikës kosovare, e cila vet duhet disi të normalizohet, sepse në të kundërtën, del që nuk është aspak reale të besohet që ne njëmend do të kemi kapacitete politike dhe organizative për tu marrë vesh me Serbinë se si duhet mbyllur këtë Kutinë e famshme të Pandorës  (sepse ajo në fakt është hapur qëmoti në mes nesh dhe Serbisë, nuk po e bëjmë tash ne këtë punë, apo ajo asnjëherë nuk u mbyll), derisa nuk jemi në gjendje të mirremi vesh në mes nesh se çka duhet bërë tash e tutje në këtë ndërmarrje shumë të veçantë, dhe objektivisht të pashmangshme për të tashmen dhe të ardhmen e këtij shteti.

Në vend se të na bëjë Një  (apo të na unifikojë), debati për epilogun e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, na ndau keq dhe na bërë Pikë dhe Pesë  (si thuhet).

Kjo është pasojë, në radhë të parë, e humbjes së fokusit të kësaj teme kapitale për Kosovën.

Në pyetje është përmbyllja e të gjitha llogarive politike (dhe ekonomike, financiare, historike, madje), në mes të Kosovës dhe Serbisë. Parimisht, madje, këtë fakt e pranojmë të gjithë. Por ne po sillemi thuajse në emër të këtij qëllimi, duhet t’i qërojmë një herë e mirë hesapet në mesh nesh, dhe këtu ne i përdorim të gjitha mjetet e mundshme, e pastaj të shohim se çka mund të bëjmë me Serbinë.

Organizimi politik i shqiptarëve për bërjen e negociatave me Serbinë, ka qenë i vështirë në vitet e luftës, për njëqind arsye, gjithashtu, edhe në vitet 2005 e tutje, për njëqind arsye të tjera, sepse rrethanat ishin njëmend tepër të rënda, sepse ta zëmë në Rambouillet  (1999), negociohej me përfaqësuesit e një pushteti që ishte përgjegjës për krimet më të rënda në Kosovë, e në Vienë bisedohej me qeveritarët serbë që me këmbëngulje kundërshtonin zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Megjithatë, edhe në ato rrethana, kur ne nuk kishim shtet, bëheshim bashkë sepse kishim përgjegjësi shtetërore. Tani kur kemi shtet, kur kemi institucione, kur kemi politikë zyrtare, nuk kemi fare përgjegjësi shtetërore.

Po të ishte ndryshe, nuk do të harxhohej as një orë e plotë për të bindur njeri-tjetrin, qofshin këta politikanë që sot udhëheqin me institucionet, qoftë të tjerë që aktualisht janë në opozitë, që duhet zyrtarizuar një Delegacion të Kosovës në Kuvend, që duhet krijuar një unitet politik dhe organizativ me qëllim të fuqizimit të pozicionit negociator të Kosovës, që duhet bërë, nga ana e jonë, gjithçka që është e mundur për të qartësuar që për ne, si Kosovë, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet vetëm me njohjen reciproke në mes të dy shteteve  (Kosovës dhe Serbisë).

Në Rambouillet, kryeqëllimi ishte çlirimi i Kosovës. Në Vienë, bërja e shtetit të Kosovës. Tash është njohja reciproke me Serbinë.