Mbyllet për publikun seanca në rastin “Banjska”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, është mbyllur për publikun seanca e së enjtes ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Fillimisht, prokurori special Naim Abazi propozoi që seanca e sotme të mbyllet, me arsyetimin…

Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, është mbyllur për publikun seanca e së enjtes ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Fillimisht, prokurori special Naim Abazi propozoi që seanca e sotme të mbyllet, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit Velko Iliq, i cili do të dëgjohet është e ndjeshme dhe përfshihen informacione në çështjen e sigurisë kombëtare, strukturave paralele dhe organizimeve të tyre ilegale në veri të vendit.
“Si dhe përfshihen personazhe që janë përfshirë në ngjarjen e rëndë të armatosur në fshatin Banjskë, siç e dini ka pas pasoja të rënda në rendin kushtetues të vendit”, tha Abazi.
Sipas tij, meqenëse dëshmia e dëshmitarit lidhet kryesisht me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet me strukturat e dyshuara ilegale, përfshinë elemente që mund të dërgojnë në identifikimin edhe të familjes së dëshmitarit, nëse kjo dëshmi jepet në prani të publikut dhe mediave.
Andaj, Abazi tha se propozimi i tyre bazohet në dispozitat e nenit 298 të Kodit të Procedurës Penale.
Mbrojtësi i Spasojeviqit, avokati Ljubmir Pantoviq, tha se ia lë gjykatës në diskrecion vendimin për çështjen e mbylljes së seancës.
Dëshmitari Velko Iliq tha se nuk është mirë me shëndet dhe se për këtë ka edhe dokumente, të cilat ia ka dorëzuar prokurorit. Andaj, tha se nuk mund të qëndrojë gjatë në seancë.
“Situata ime është që unë i kam dhënë dokumente këtij polici dhe nuk mund të qëndroj deri në fund sepse kjo është shumë stresuese për mua”, tha ai.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se sipas propozimit të prokurorit dhe marrjes së mendimit nga palët në procedurë, aprovohet propozimi për mbylljen e seancës.
Andaj, seanca e sotme u mbyll bazuar në kushtet ligjore që janë paraparë në nenin 298 të KPPK-së.
Seanca e 18 korrikut 2025 dështoi në mungesë të dëshmitarit anonim A2. Kurse, ajo e 21 korrikut u mbyll me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, për shkak se do të dëgjohej dëshmitari anonim F1, në mënyrë që të mbrohej identiteti i dëshmitarit dhe procedurës penale. Ndërkaq, më 22 korrik u dëgjuan dëshmitarët Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësi