Mbrojtja kërkon përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, ndërpritet seanca ndaj Nagip Krasniqit

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mbrojtja kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Violeta Namani-Hajra. Trupi gjykues në këtë rast ka këtë përbërje: Violeta Namani- Hajra, kryetare e trupit gjykues,…

Lajme

08/10/2026 13:03

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mbrojtja kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Violeta Namani-Hajra.

Trupi gjykues në këtë rast ka këtë përbërje: Violeta Namani- Hajra, kryetare e trupit gjykues, Medie Bytyqi dhe Vesel Ismaili- anëtarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nagip Krasniqi, avokati Vyrtyt Ibrahimaga, tha se janë gjetur rrethana të reja ku disa nga provat në këtë rast janë marrë nga rasti tjetër i të mbrojturit të tij Krasniqi, e ku gjyqtare e procedurës paraprake ka qenë gjyqtarja Namani-Hajra.

Andaj, avokati tha se përderisa ekziston një rrethanë e tillë, janë të detyruar që të kërkojnë përjashtimin e kryetares së trupit gjykues.

Ndërsa, prokurori i rastit, Dren Paca, deklaroi se nuk ka qenë në dijeni se kush ka qenë gjyqtar në procedurë paraprake të lëndëve tjera, mirëpo thkesoi se është fakt se një pjesë e provave, janë marrë nga rasti tjetër, gjë që në aspektin procedural nuk paraqet asnjë lloj pengese.

Ndërsa, gjyqtarja tha se bazuar në rrethanat e reja të paraqitura nga mbrojtja është e kuptueshme se ka bazë për përjashtimin e saj në këtë rast. Andaj, seanca e sotme u ndërpre.

Kujtojmë se prokurori special Dren Paca u caktua u.d i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga KPK-ja.

Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.

Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.