Mbrëmë kishte dal me motor, sot u gjet i vdekur 17 vjeçari në Prizren

Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Prizren, saktësisht në rrugën Landovicë-Gjonaj. Siç ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, disa qytetarë sot rreth orës 16:00 derisa po punon në ara kanë vërejtur një person të shtrirë në rrugë, rreth 7-8 metra larg një muri ku po ndërtohej një shtëpi.…

Lajme

14/10/2025 20:43

Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Prizren, saktësisht në rrugën Landovicë-Gjonaj.

Siç ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, disa qytetarë sot rreth orës 16:00 derisa po punon në ara kanë vërejtur një person të shtrirë në rrugë, rreth 7-8 metra larg një muri ku po ndërtohej një shtëpi.

Qytetarët kanë raportuar në Polici se personi nuk po shfaqte shenja jete, shkruan lajmi.net.

“Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe kanë filluar hetimet fillestare. Nga veprimet hetimore është konstatuar se viktima është i mituri V.N. (i lindur më 15.08.2008), nga lagjja Arbane e Prizrenit, i cili që nga mbrëmë nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk ishte lajmëruar në telefon, ndërsa sot është raportuar si i zhdukur”, ka thënë Bytyqi për lajmi.net.

Ai ka thënë se bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se viktima derisa po drejtonte një motoçikletë, nuk i është përshtatur kushteve dhe rrethanave të rrugës, dhe ka humbur kontrollin. Sipas këtyre të dhënave, dyshohet se ai është përplasur në murin mbrojtës të një shtëpie në ndërtim, ku ka pësuar lëndime të rënda trupore që kanë rezultuar me vdekje në vendin e ngjarjes.

“Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, po vazhdon hetimet për të sqaruar në detaje të gjitha rrethanat e këtij rasti tragjik”, ka thënë tutje Bytyqi. /Lajmi.net/