Mbledhje propagandistike

Sipas AAK’së, takimi i përbashkët i paralajmëruar i Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë i gjason më shumë dekorit propagandistik dhe simbolikës sesa bashkëpunimit të mirëfilltë.

Lajme

11/11/2013 14:10

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur idenë e mbledhjes së përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë si propagandë .

Në një deklaratë të lëshuar sot, kjo parti thotë se ky takim i paralajmëruar i gjason më shumë dekorit propagandistik dhe simbolikës sesa bashkëpunimit të mirëfilltë.

“Këto lloj takimesh po shfrytëzohen për të mbuluar mospunën dhe ngecjet serioze në bashkëpunim sektorial midis dy vendeve”, thuhet në deklaratën e AAK’së.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të rrisin bashkëpunimin ekonomik, arsimor, kulturor etj., dhe ky bashkëpunim duhet të sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme”.

Në deklaratë, AAK ka përmendur dy çështjet të cilat krijuan telashe në raportet Prishtinë-Tiranë, në të kaluarën, e të cilat ishin përgjegjësi e Ministrisë së Tregtisë së Tregtisë dhe Industrisë, asokohe të drejtuar nga pretendentja për Kryetare të Gjakovës në balotazh Mimoza Kusari-Lila.

“AAK i fton të dy Qeveritë që të flasin me parametra sektorialë, në mënyrë që të mos na përsëriten krizat e të kaluarës, siç ishin barrierat e importit të cimentos apo të eksportit të patates”, thuhet në deklaratën e AAK’së.