Mbi tre muaj pa gjurmë: Familja vazhdon kërkimet për 78-vjeçarin Xhafer Raqi

Mbi tre muaj kanë kaluar që kur 78-vjeçari Xhafer Raqi nga Prishtina, i cili vuante nga demenca, doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më. Nga 2 korriku, familjarët e kërkuan në vazhdimësi, ndërsa kamerat e sigurisë treguan se ai kishte shkuar në drejtim të Butovcit. Atje u gjetën pesë nga gjashtë sandalet që kishte…

Lajme

08/10/2026 20:13

Mbi tre muaj kanë kaluar që kur 78-vjeçari Xhafer Raqi nga Prishtina, i cili vuante nga demenca, doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më.

Nga 2 korriku, familjarët e kërkuan në vazhdimësi, ndërsa kamerat e sigurisë treguan se ai kishte shkuar në drejtim të Butovcit. Atje u gjetën pesë nga gjashtë sandalet që kishte marrë me vete – gjurmët e fundit të tij.

Në kërkimet për të morën pjesë Policia, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit dhe FSK-ja, por më 11 shtator Policia i ndërpreu kërkimet. Familja, megjithatë, ende nuk është dorëzuar.

Neurologia Melihate Pushka thotë se personat me demencë mund të çorientohen dhe, pasi largohen nga shtëpia, të mos dinë të gjejnë rrugën e kthimit. Sipas saj, në Kosovë mungon një protokoll i standardizuar për raste të tilla.

Ndërkohë, rasti i Xhaferit është njëri nga 1 mijë e 306 personat e raportuar të zhdukur në Kosovë që nga viti 2021.

Vëllai i tij, Beqir Raqi, u bën apel qytetarëve që të njoftojnë familjen për çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e Xhaferit.